Në Itali zhvillohen sot zgjedhjet parlamentare pas rënies së koalicionit qeverisës në korrik, të udhëhequr nga Mario Draghi. Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 23:00, kur pritet të publikohen edhe exit pollet. Pothuajse 51 milionë italianë kanë të drejtë vote, 2.6 milionë janë votues për herë të parë dhe 4.7 milionë të tjerë janë jashtë vendit.

Një parti e krahut të djathtë me lidhje të kaluara me fashizmin pritet të fitojë shumicën e votave, duke ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian. Partia “Vëllezërit e Italisë”, e udhëhequr nga Giorgia Meloni kryeson në sondazhe dhe politikania 45-vjeçare nga Roma është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër e Italisë.

Ky do të ishte një rezultat i jashtëzakonshëm për Melonin, partia e të cilës fitoi vetëm 4% të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2018. Megjithatë raportohet se mbështetja për Lëvizjen 5 Yjet me prirje të majtë, partia më e madhe në 2018, është rritur ditët e fundit. Kjo mund të rrezikojë shanset e aleancës së djathtë për të fituar një shumicë në Senat ose dhomën e sipërme, duke komplikuar procesin e formimit të një qeverie.

Edhe nëse ka një rezultat të qartë, qeveria e ardhshme nuk ka gjasa të marrë detyrën para fundit të tetorit, teksa parlamenti i ri nuk do mblidhet deri më 13 tetor. Partnerët e mundshëm të koalicionit të kryesuar nga Meloni tashmë kanë qenë të pranishëm në skenën e politikës italiane.

Mes tyre, ish-ministri i brendshëm populist Matteo Salvini. Veterani politik Silvio Berlusconi, i cili së shpejti mbush 86 vjeç, mund të jetë gjithashtu pjesë e koalicionit të krahut të djathtë. Qeveria që do të dalë nga votimi i kësaj të diele do të jetë e 70-ta e Italisë që nga viti 1945.

Shumë vëzhgues thonë se koalicioni i udhëhequr nga Meloni duket i paqëndrueshëm dhe Italia mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb