Ish-kapiten i të kuqve, ish-trajneri që solli titullin pas 26 vitsh mungesë, njeriu të cilin e gjithë tifozëria e kuqe po “e qan” sot në një kohë kur Partizani po bie poshtë dhe më poshtë duke humbur seriozitetin e ekipit kampion. Për “Supersport”, Skënder Gega flet hapur dhe tregon arsyen se përse sipas tij skuadra po vuan.

Ndonëse Gega tregohet diplomat si gjithnjë, kjo tingëllon si një akuzë ndaj drejtuesve dhe sidomos drejtorit Olsi Rama, që bashkë me grupin e tij të bashkëpunëtore mori përsipër çmontimin e ekipit kampion dhe ndërtimit të një ekipi të ri, gjendja e të cilit po reflektohet në një kampionat të mjerueshëm dhe aspak të denjë për një skuadër kampione.

“Ky ekip nuk është imi, nuk është imi për dy arsye të rëndësishme dhe thelbësore. Unë nuk jam trajner e përderisa nuk jam trajner, nuk kam asnjë lloj përgjegjësie dhe asnjë lloj merite. Jo për ta anashkaluar dhe për të dalë i larë, por me dëshirën e mirë për të parë që Partizani të shkojë më mirë”.

“Unë besoj dhe jam shumë i sigurt që u gabua që u prekën themelet e asaj që ishte ndërtuar. Në konceptin tim, e shoh një ekip futbolli si një shtëpi që ndërtohet pa hile, ndërtohen me themele të forta ose me kolona të forta. Është e vërtetë dhe statistikat flasin: u prish ai ekuilibër, ajo mënyrë loje”.

“U prish sepse është e drejta e trajnerëve që kur vijnë kanë filozofinë e tyre, shprehin garanci për ata që sjellin. Se sa në gjendje kanë qenë për t’i njohur me shpejt lojtarët nuk e di, por statistikat flasin. Nuk ka lidhje ekipi që kishim me performancën që ne kishim me atë ekip.”

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb