Nga FATMIRA NIKOLLI*

Për arkeologun Skënder Muçaj, nuk përbën problem vënia e dy shtyllave të tensionit të lartë në zonën arkeologjike B në Koman. Vendimi i marrë në dhjetor në Ministrinë e Kulturës nuk duket shqetësues për të, ndonëse ai pranon se nuk e ka vizituar sajtin. “Unë nuk e kam vizituar Komanin. Janë ata që e kanë parë nga afër që duhet të flasin, por nga pozicioni im, dhe me aq sa kam biseduar me ata që e njohin zonën, them se nuk ka problem që vihen dy shtylla”, – tha ai dje për “GSH”. I vjetër në profesion dhe një ndër emrat që ka punuar në disa sajte të trashëgimisë, Muçaj e argumenton kështu mendimin e tij:

“Një shtyllë nuk zë më shumë se 5 ose maksimumi 10 metra katrorë hapësirë. Në vendin që do të vihen këto shtylla, sipas atyre që e njohin sajtin, nuk ka monumente. Nëse gjatë gërmimeve aty do të dalin varre të vjetra, do të merren të dhënat arkeologjike që dalin dhe jemi në rregull. Nëse në vendin ku do vihen shtylla dalin monumente, atëherë kjo është punë tjetër dhe çështja duhet diskutuar sërish”. Skënder Muçaj nuk është pjesë e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe as i ekipit të arkeologëve që gërmojnë në Komanin mesjetar (ku të dhënat arkeologjike të çojnë madje deri në periudhën helenistike). Mendimi i tij, u kërkua për shkak të karrierës së gjatë në këtë fushë dhe sepse duke mos qenë i përfshirë, ai është më i ftohtë në mendime.

Por, pos kësaj, kalimi i linjës së OST-së, Shqipëri-Kosovë në Koman, është kundërshtuar nga Etleva Nallbani, bashkëdrejtuese e misionit arkeologjik shqiptaro-francez që prej vitesh gërmon në vendbanimin Arkeologjik të Komanit-Dalmacia e vjetër. Në një intervistë për “GSH” ajo është shprehur se “Nëse segmenti i linjës nuk ndryshon drejtim, vendbanimi arkeologjik vdes, pasi jo vetëm që s’përdoret dot asnjë mjet i studimit të vendbanimit me teknikat bashkëkohore (gjeofizike, gjeoradar, dron, etj, etj, për shkak të fushave magnetike që krijohen, por institucionet kërkimore europiane nuk mund të vazhdojnë të investojnë në zbulimin e një vendbanimi për të cilin strukturat e trashëgimisë shqiptare tregojnë kaq pak sensibilitet, duke e çuar drejt shkatërrimit e braktisjes”, do të shprehej Nallbani, pjesë e ekipit të arkeologëve që prej 7 vitesh punon në Koman.

Ditë më pas, “GSH” kërkoi mendimin e drejtoreshës së Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Zhuliana Harasanit. Ajo qe shprehur se janë vetëm dy shtylla që do kalojnë në Koman, dhe këto do të jenë në zonën arkeologjike B (e një niveli të dytë rëndësie nëse krahasohet me zonën arkeologjike A ku nuk lejohet të ndërtohet). Harasani shtoi se punimet e vendosjes së dy shtyllave do të supervizohen nga arkeologët që gërmojnë aty prej vitesh. “KKA shqyrtoi kërkesën e OST dhe propozimin e misionit francez për zonifikimin A dhe B të territorit ku do të kalojë linja e OST-së. Megjithëse propozimi për zonifikimin nuk ka marrë formën e një VKM-je, KKA e mori në konsideratë këtë propozim dhe vendosi spostimin e linjës (2 shtylla) në zonën B, ku sipas Ligjit të Trashëgimisë, lejohen ndërtime nën vëzhgimin e ekspertëve arkeologë. Madje KKA ia ngarkoi mbikëqyrjen e punimeve arkeologëve shqiptarë që propozuan zonifikimin. Për më tej, ASHA ka vendimin e zbardhur të KKA”, – sqaroi zyrtarisht Harasani. “Ne mbështetëm arkeologët megjithëse kishte kosto spostimi; ne vendosëm në favor të mendimit të arkeologëve”,- shtoi ajo.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh.BalkanWewb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: