Nga: BLERINA ARBANA*
TIRANE – Kjo vjeshtë këputi nga pema e koreografisë shqiptare, gjethen më të artë të saj. U mbushën plot 40 ditë që nuk ndodhet më mes nesh, koreografi i parë shqiptar, regjisori, mjeshtri i kërcimit klasik, Skënder Selimi, i cili vuri bazat dhe konceptet profesionale të mjeshtërisë së kërcimit klasik në Shqipëri. Ai do të kujtohet gjithmonë si autor i duetit të parë klasik shqiptar “Anusha”, koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar “Alba”, autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar” si dhe pedagogu i parë dhe themelues i Katedrës së Koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Prof. Skënder Selimi vuri bazat dhe konceptet profesionale në Shqipëri duke mbetur ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare, ku pati edhe një veprimtari të gjerë pedagogjike. Mbetet një nga pedagogët dhe artistët më të denjë, i cili trashëgoi titullin shkencor në fushën e koreografisë, si Doc.Profesor dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Më vijnë pareshtur mendimet për “Titanin e skenës shqiptare”, për profesorin tim, por ajo që më ka lënë më shumë mbresa është mënyra e tij krejt origjinale në ngritjen e problemeve që lidheshin me zhvillimet e pritshmëritë e artit. Një figurë multidimensionale, këshillues kritik e debatues kur e donte rasti. Emri i tij është gdhendur në nderin dhe arritjet e artit shqiptar dhe i tillë do të mbetet, pasi puna e tij e palodhur dhe dashuria që pati për profesionin e kërcimit, e ngriti atë në piedestalin e skenës shqiptare. Ai shpesh thoshte: “Nuk është teknika gjithçka, nëse nuk ka një zemër që rreh në akord me ritmin e brendshëm që fshihet brenda nesh dhe vetëm nëse i ke të dyja, mund të realizohesh si artist”.
Tek ai vlonte pasioni për artin dhe punën. Mbivlera e krijuar prej vetë atij, nuk shkonte për interesa vetjake, por përdorej përsëri për të mirën e përgjithshme, ashtu siç donte vetë ai.

Natyra i dhuroi talentin dhe magjia e skenës së bashku me natyrën e formoi si artist të vërtetë, duke e bërë atë legjendën dhe mishëruesin e denjë të artit koreografik duke lënë gjurmë të thella në memorien e spektatorit shqiptar. Pasioni i tij i madh për punën, talenti i padiskutueshëm, si dhe kërkesa artistike e madhe ndaj vetes e bëri të arrijë përsosmërinë si në fushën e krijimtarisë ashtu edhe në fushën e pedagogjisë. Më kujtohet profesori në lëndën e artit të koreografisë, ku ne si student duhet të punonim me “sikurin”, duke shprehur veprimin imagjinar të idesë përmes simboleve që krijojnë lëvizjet, ku të duhet të depërtosh dhe të injektosh me anë të gjestikulacionit tek spektatori të gjitha llojet e emocioneve si: gëzimin, frikën, vuajtjen, madhështinë etj. Ai thoshte: “Krijimi dhe interpretimi janë procese artistike më vete dhe në unitet ndjekin njëri-tjetrin. S’ka krijim pa interpretim, s’ka interpretim pa krijim”.

Pasioni ishte promotori i tij, ai që i buronte pareshtur së brendshmi dhe që diti t’ua përcjellë mjaft mirë brezave pasardhës duke theksuar se: “Është po pasioni, personaliteti që i nevojitet artit dhe kudo që të shkoni merreni me vete”. Ishte një artist që dallohej nga të tjerët për individualitetin e tij, për veçantitë harmonike të formave artistike dhe për kreativitetin e tij të pafund. Nuk reflektonte kurrë lodhje, por ishte njeri i kudondodhur dhe i sakrificës. Do ta mbaj mend profesorin tim, si artisti që guxoi të thyente kornizat e hekurta të regjimit të ashpër të komunizmit dhe që nuk pranonte kurrsesi asnjë kompromis në kurriz të punës së koreografisë. Artisti i cili zgjeroi aq sa mundi diapazonin e tij edhe me njohuritë dhe prurjet e reja për kërcimin modern, që për atë kohë ishte i pakonceptueshëm. Do ta kujtoj si njeriun që krijoi, punoi e mësoi fort për t’i dhënë formë e për ta zhvilluar më tej artin e kërcimit.

Besoj, e njëjtë do të jetë për miqtë, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin nga afër. Ai është përfaqësuesi i denjë i koreografisë shqiptare, është njeriu që derdhi gjithë shpirtin e tij krijues e tepër pasionant në krijimtarinë e fushës së kërcimit. Ai la pas një punë të paçmuar e tepër të rëndësishme. Shumë vepra që i mbeten skenës shqiptare, mbajnë emrin e tij si: “Zhurale”, “ Fadeta”, “Laurensia”, “Sheherezada”, “Shatërvani Bashesarait”, “Zarena e humbur”, “Traviata”, “Ivan Suzanini” dhe në disa drama të Teatrit Popullor si “Romeo e Zhuljeta”, “Hamleti”, “Mirandolina” etj. Emri i tij është gdhendur në historinë e koreografisë shqiptare, e cila gjithashtu mban emrin dhe vulën Skënder Selimi. “Ndërroi jetë mjeshtri i kërcimit shqiptar, prof.dr. Skënder Selimi, për të vazhduar vallëzimin lart në qiell… Përfaqësues i denjë i një brezi pasionantësh të rrallë”, u shpreh ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro.

Nderime pa fund për punën dhe krijimtarinë e tij artistike, si një pedagog që nxori një galeri artistësh, të cilët sot krijojnë e mësojnë breza dhe la pas një krijimtari të paçmuar kulturore, duke u hapur rrugën pasardhësve që ta çojnë më tej këtë profesion të bukur.

Pasioni dhe dashuria që ai pati për artin e bukur të kërcimit, do të jetë motivimi për artistët e rinj që do të punojnë në gjurmët e tij, duke mos lejuar që pluhuri i harresës të bjerë mbi jetën dhe veprën e tij artistike. “Vallëzoftë shpirti yt artistik, në lartësinë dhe kaltërsinë e pafundme të qiellit”.
*Drejtoresha e shkollës së Koreografisë
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: