Skënder Sherifi është një nga shkrimtarët e spikatur me origjinë shqiptare. Ai ka filluar të shkruajë shumë herët, por shkrimet nga mosha 14 vjeç kur ka nisur të shkruajë e deri në 18 vjeç ai i ka djegur.

Në “Dola te Ola” ai zbuloi se kjo ka ndodhur për shkak të kontradiktave që ai ka patur me veten.

Ai tha se ka kaluar një adoleshencë me shumë pikëpyetje, ndërkohë që brenda shtëpisë kishte një familje tradicionale malësore, jashtë saj përballej me Brukselin bashkëkohor. Shkrimtari ka përjetuar një luftë të brendshme dhe djegia e librave ishte një lloj rebelimi, për të cilën sot padyshim i vjen keq.

Teksa u pyet nga Stefi nëse ka ndikuar fëmijëria e tij apo fakti që babai i tij ka qenë i burgosur në krijimtarinë e tij, ai u shpreh se kur je në atë moshë nuk percepton asgjë dhe se me distancën kohore teksa rritesh, kultivohesh, takon njerëz dhe lexon, fillon e kap fillin e jetës dhe kupton se çfarë të ka shenjuar.

Ai tha se prindërit e tij i ruanin të gjitha zakonet dhe traditat malësore, pasi Brukselin ata e mendonin si një tranzit dhe diçka momentale, nuk kishin qëllim që të qëndronin aty.

Shkrimtari theksoi se në shoqërinë belge është ndier i barabartë me shokët, por në shtëpi ishte i kufizuar. Në një fotografi ku Skënder Sherfi i kishte flokët me stilin e viteve ’60-’70, tregoi se babai i tij nuk ia pëlqente.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb