Nga Ervin BAKU
Skënderbeu, ekipi më i mirë shqiptar për gjithë periudhën e post viteve ’90, barazoi dje 1-1 në ndeshjen e tij të dytë për grupin B të Europa League. Barazoi me kryesuesin e kampionatit zviceran. Barazoi me kryesuesin e kampionatit të vendit që kryeson grupin e tij në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018 dhe që është i 7-ti në renditjen botërore të FIFA-s.

E megjithatë, ky barazim na la të gjithëve shije të hidhur. Pse? Sepse ndeshja mund dhe duhej të ishte fituar. Me një gjykim të drejtë, ndeshja do të ishte fituar. Skënderbeu e kishte dje kundër gjyqtarin kryesor të ndeshjes, holandezin Kevin Blom. Këtë ia thashë edhe gjyqtari të katërt, holandezit tjetër Hessel Steegstra. Kemi të paktën dy penallti të pastra të paakorduara në favor të Skënderbeut.

Ky barazim na la të gjithëve shije të hidhur, sepse Skënderbeu, edhe pse me mungesa të rëndësishme, ia doli të luante një ndeshje të shkëlqyer. Dominoi bindshëm pëe 70 minuta. Por në nivele të tillë të lartë, duhet një përqëndrim maksimal për 90 minuta. Nuk të fal njeri.

Ashtu siç ndodhi në Kiev, Skënderbeu u ndëshkua që në gabimin e tij të parë, duke i dhënë mundësi ekipit kundërshtar që të barazonte shifrat… Por edhe pse ky barazim na la të gjithëve shije të hidhur, ai ka një vlerë të madhe. Pse? Skënderbeu na konfirmoi se sot nuk është më inferior ndaj askujt. Po po, ndaj askujt.

Që ai është i pathyeshëm në shtëpi (3 fitore, dy barazime) këtë sezon europian. Edhe kur e ka gjyqtarin kundër. Që ai shënon rregullisht (në 9 nga 10 ndeshjet e kësaj fushate europiane)… Të 3250 spektatorët (shiu, që nuk u lodh për asnjë çast dje gjatë gjithë ditës, frenoi mbushjen e stadiumit) e pranishëm në “Elbasan Arena” panë një Skënderbe të bukur. Sepse Skënderbeu luan futboll. Skënderbeu luan futboll shumë të bukur. Me lojë të hapur dhe sulmuese. Falë Ilir Dajës. Arkitektit të këtij ekipi. Falë këtij Skënderbeu, ne shohim pak edhe “Barcelonën” çdo javë në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb