Skënderbeu mbetet i “varur” nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS) në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme në Europë për sezonin 2018- 2019. Por, duket se bindja është e madhe te klubi, që bardhekuqtë do të luajnë në Ligën e Kampioneve. Duke u nisur nga ky fakt, Skënderbeu ka organizuar planin e vet për të konfirmuar lojtarët, por edhe për t’u dhënë atyre garanci për të ardhmen. Në një situatë të tillë pritet që gjithçka të nisë nga “veteranët” dhe më pas të vijojnë bisedimet edhe me futbollistë të tjerë dhe merkaton në hyrje. Burime të sigurta pranë klubit bardhekuq i treguan dje “Panorama Sport” se duke nisur nga java e ardhshme do të fillojnë bisedimet me lojtarët që kanë qenë boshti i skuadrës. Duke nisur nga kapiteni Orges Shehi, për të vijuar më pas me Kristi Vangjelin dhe Tefik Osmanin. Këta tre “senatorë” do të flasin me presidentin Takaj për të ardhmen dhe rinovimin e mundshëm të kontratës.

PORTIERI – Gjithçka do të nisë me kapitenin Shehi, i cili edhe pse e ka thuajse të ndarë mendjen për të mbyllur karrierën, do të duhet të dëgjojë edhe një herë miqtë e tij, në rastin konkret vetë presidentin Takaj. Pas precedentit të një viti më parë dhe këmbënguljes së trajnerit Ilir Daja, duket se presidenti i Skënderbeut do të bëjë çmos për të bindur portierin, që të qëndrojë me ekipin të paktën për Europën, gjithnjë nëse KAS pezullon vendimin e UEFA-s. Duke parë edhe raportet e mira mes palëve, por edhe faktin se Shehi ka qenë lojtari i parë i afruar në ndërtimin e Skënderbeut të titujve, gjasat janë të mëdha që me ekipin në Europë, durrsaku të zgjasë tërheqjen nga futbolli.

MBROJTËSIT – Pas Shehit pritet që të jetë radha e Vangjelit dhe Osmanit për t’u bindur që të vijojnë bashkëpunimin me klubin. Nëse Tefiku është shprehur vazhdimisht se nuk largohet nga Skënderbeu, ndryshe qëndron situata për Vangjelin. Mbrojtësi korçar është gjithnjë e më shumë i lëkundur për t’u rikthyer në Greqi pranë familjes. Rikthimi i Arisit në Superligën greke duket se e tundon lojtarin për të lënë Korçën dhe për t’u stabilizuar pranë familjes në Selanik. Kjo do të jetë çështje për t’u diskutuar, ndërsa një tjetër dilemë është ajo e Marko Radas. Kroati e ka shprehur më herët besnikërinë dhe lidhjen me fanellën bardhekuqe, prandaj rinovimi do të ishte praktikisht i mbyllur nëse presidenca do t’i ofronte një kontratë edhe për një tjetër sezon.

DILEMAT
– Gjithçka për të ardhmen varet nga prezenca e Skënderbeut në Europë dhe mbi të gjitha të vendimit përfundimtar që do të jap KAS për çështjen e trukimeve dhe dënimit me 10 vite. Nëse një vendim i tillë do të jetë pozitiv, atëherë të bërit merkato nuk do të jetë aspak problem për Skënderbeun. Mirëpo, nëse vendimi do të mbetet në fuqi, atëherë e ardhmja do të jetë një çështje për t’u diskutuar, me të gjithë pjesëtarët e klubit bardhekuq, duke nisur nga lojtarët te stafi.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/skenderbeu-akoma-i-varur-nga-kas-i-por-ka-plan-special-per-senatoret/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: