Kur kanë kaluar tetë javë kampionat, Skënderbeu vazhdon të kritikohet nga opinioni sportiv për lojën jo bindëse që po zhvillon.

Burime të sigurta për “Panorama Sport” bëjnë me dije se trajneri Agostineli u ka kërkuar drejtuesve të vihen në kërkim të një mesfushori organizator, i cili do të plotësonte njëherë e mirë mungesën e lënë nga tërheqja nga futbolli i luajtur e ishkapitenit Bledi Shkëmbi.

Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit korçar kanë vënë në shënjestër mesfushorin shkodran të Tiranës, Erjon Vucaj. 26-vjeçari është momentalisht një nga fantazistët e paktë që militon në Kategorinë Superiore dhe pëlqehet shumë nga klubi korçar.

Ai gjithashtu nuk është njohje e re për Skënderbeun, pasi ka veshur për një periudhë të shkurtër fanellën e kësaj skuadre, pikërisht në verën e vitit 2012, kur Skënderbeu luajti në “Champions League” ndaj Debrecenit.

Paraqitja e mesfushorit ka qenë shumë e mirë asokohe, ndaj edhe bardhekuqtë ruajnë kujtime të mira nga ky futbollist. Problem për transferimin mund të mbetet vetëm kontrata e tij me Tiranën, e cila e mban lidhur me kryeqytetasit deri në qershor të vitit 2017. Por, duke ditur se ka emergjencë në organizimin e lojës së bardhekuqve, drejtuesit janë gati që të bëjnë një sakrificë për plotësimin e këtij boshllëku që kanë në ekip.

Ekzistojnë zëra në kampin korçar se Skënderbeu është i gatshëm që t’i paguajë Tiranës një shumë të përafërt me 25 mijë euro, në mënyrë që lojtari t’u bashkohet verilindorëve që në merkaton e janarit. Vucaj ka qenë i pafat në eksperiencën e tij te bardheblutë, pasi e kanë përndjekur dëmtime të shpeshta. Duke ditur që aktivizimi i tij ka qenë i pakët në javët e para të këtij sezoni, nuk përjashtohet mundësia që Tirana të pranojë ofertën e Skënderbeun për lënien të lirë të mesfushorit shkodran. /PanoramaSport/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb