Ekipi kampion i Shqipërisë, Skënderbeu, ia ka dalë të marrë pikët e plota në transfertën kundër Korabit me rezultatin minimal 0-1. Kjo sfidë u luajt në orën 14:00 në “Elbasan Arena”, pasi ende stadiumi i dibranëve sipas FSHF-së nuk i plotëson kushtet për të zhvilluar një ndeshje të kategorisë Superiore.

Heroi i korçarëve ditën e sotme ishte bomberi shkodran Hamdi Salihi. Sulmuesi është zhbllokuar pas një periudhe të gjatë pa shënuar duke realizuar golin e vetëm të takimit nga pika e bardhë e 11-të metërshit.

Një humbje që djeg shumë për Korabin pasi nuk arrin të marrë asnjë pikë në luftën për mbijetëse duke vrarë shpresën për qëndrimin edhe një vit në kategorinë Superiore. Dibranët mbajnë vendin e fundit ku kanë grumbulluar vetëm 11 pikë.

Ndërsa Skënderbeu me këtë fitore mban hapin e kryesuesve si Kukësi dhe Partizani të cilët triumfuan në takimet që zhvilluan dje. Korçarët renditen në vendin e tretë me pikë të barabarta me Partizanin, 38-të, 4 më pak se Kukësi kryesues.

Kujtojmë se në orën 17:00 luhet takimi I fundit I kësaj jave, Flamurtari kundër Luftëtarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb