Mbijetesa në elitë dukej e pamundur pak kohë më parë, askush nuk guxonte të mendonte më larg, ekipi dukej i dorëzuar në fushë por situata ndryshojë shumë me Memellin në stol. Javë pas javë korçarët arritën të rikuperojnë pikë në raport me rivalët duke ndezur edhe një herë sezonin. Skënderbeu jo që u fut në garë por tashmë e sheh zonën “play out” vetëm një pikë larg. Sigurisht asgjë nuk ka përfunduar pasi mbeten ende në zonën e ftohte ndërsa këtë të shtunë në Korçë i sfidon Partizani kryesues. Memelli nuk dëshiron të shoh tabelën e klasifikimit, kjo është një ndeshje e vështirë por ekipi i tij do të futet në fushë për të bërë maksimumin:

“Është rival tek i cili ne do të kërkojmë synimet tona, pa diskutim një rival që ka meritë për atë çka ka bërë në ecurinë e këtij kampionati. Gjithsesi, qëllimi i drejtpërdrejtë është një kundërshtar që do ta vlerësojmë si të barabartë në fushë e lojës e do të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin.

Une nuk jam një njeri që shikoj klasifikimin, që sikurse ja kam shprehur dhe skuadrës. Pa diskutim që unë e theksova që kanë vlera si skuadër por ne jemi skuadër që vlerësojmë edhe veten në këto momente, kemi bërë mirë edhe përderisa kemi bërë mirë të gjithë kundërshtarët i kemi vlerësuar dhe respektuar, kemi parë dhe benefitet që ka marrë skuadra nga gjithë këto ndeshje të mira. E parë në këtë këndvështrim, mendoj që nesër do të hyjmë në fushë si të barabartë dhe jo kundër një skuadre që lufton për titullin apo në që luftojmë për mbijetesë.

Mendja është nesër tek kundërshtari i radhës për të bërë më të mirën ndaj tij.

Ka mungesa për shkak të kartonëve, Sadriu dhe Douna. Ndërsa pjesa tjetër është diçka që ne do ta rregullojmë sot.

Nqs marrim gjithë pikët, e mbajmë Skënderbeun në kategori superiore. Ne do të përpiqemi ti marrim të gjithçka, kjo është e bukura sepse edhe skuadrat e tjera në këtë pikë të kampionatit do ti marrin të gjitha. Gjithsesi, përderisa matematika na lejon që të gjitha këto pikë na mbajnë në Superlige madje na largojnë dhe nga “play out”, pa diskutim që do futemi në fushë për ti marre.

Dy pikë larg jemi ndaj Kastriotit, Kukësi është larg por gjithsesi do të bëjmë maksimumin për këto ndeshje.

Nuk u kam thënë lojtarëve asgjë. Jemi munduar të vazhdojmë me procesin e stërvitjes tek i cili na sjell tek kjo ndeshje dhe përtej kësaj, kemi larguar pak atë euforinë e asaj ndeshjes që fituam në Krujë.

Me vjen keq për renditjen e kësaj skuadre, por gjithsesi duke parë edhe kundërshtarët tanë që janë në luftën për mbijetesë mendoj që në këtë këndvështrim sikurse ju e thatë, ne dy fazat e fundit të kampionatit kemi bërë shumë mirë dhe do vazhdojmë ta bëjmë që të superojmë pikët që kemi lënë mangut në dy fazat e para, dhe do ja dalim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb