Nga: AHMET SHQARRI*
Bashkimi që në titull i emrave më të shquar të historisë sonë mbarëkombëtare më erdhi natyrshëmpasdisangjarjevembresëlënëse të javës së shkuar. Mbi të gjitha më frymëzoi ekipi korçar i futbollit me emrin lavdiplotë të luftëtarit legjendar-Skënderbeu, që duke u bërë për të pestin vit radhazi kampion i vendit, arriti të regjistronte kështu një rast unikal edhe për futbollin botëror. Ngjarjet e tjera të këtyre ditëve, me një rrezatim krejtësisht global, përfshijnë në këtë “triptik” emrash shqiptarë po kaq frymëzues e të bujshëm për vlerat e tyre ndërkombëtare, edhe Nënë Terezën për veprën madhështore e të papërsëritshme të së cilës në ndihmë të të varfërve dhe njerëzve në nevojë, Selia e Shenjtë në Vatikan njoftoi se do ta shpallë Shenjtore vjeshtën e ardhshme, si dhe shkrimtarin tonë më me famë në këtë rruzull, Ismail Kadare, për nderin dhe respektin ndaj të cilit u ngrit edhe flamuri amerikan mbi Capitol Hill në Uashington, ç’ka përbëjnë në këtë rast një kurorë të bukur simbolike për t’na identifikuar kudo e kurdo dhe më shumë e më mirë si një komb që e meriton krenarinë.
Më tepër se një rrugëtim historik përmes këtyre tri emrave të shquar, ç’ka është jashtë natyrës e profesionit tim si gazetar sportiv, por edhe për shkak të ngushtësisë së formatit të këtij komenti, ideja që më shtyu për t’i mbledhur së bashku “ata”, ishte rastësia e të ndodhurit gati në të njëjtën kohë e ngjarjeve të mësipërme e të rëndësishme për të gjithë ne. Citimi që në krye i triumfit të “Skënderbeut” në futboll, është një mundësi tjetër për t’ju rikthyer përsëri suksesit të tij, duke ja shtuar edhe më shumë jehonën, që ja vlen të mbahet gjallë derisa të vijë përballja për në Ligën e Kampionëve të Europës, ku siç dihet duhen ndërruar mirë e më me shumë kujdes marshet për ngjitjen më të vështirë që e pret, prej nga ku do të varet pastaj edhe suksesi tjetër, këtë herë në arenën ndërkombëtare. Ekipi korçar me titullin e pestë radhazi që fitoi, mësoi edhe njëherë se synimet arrihen vetëm duke treguar vendosmëri, siguri dhe bindje në aftësitë e të gjithëve, siç ndodhi në fakt në ndeshjet përcaktuese ndaj pretendentëve të tjerë si Kukësi, Partizani dhe Tirana. Kjo frymë duhet ta shoqërojë atë, duke marrë shembull edhe ekipet e tjerë pjesëmarrës në ligën europiane, nëse duan të bëjnë një histori tjetër, ndryshe nga ajo që shfaqet në kampionatin tonë të trishtë e të braktisur nga spektatorët. Sidomos për korçarët e traditës së hershme futbollistike, arritja e suksesit edhe në arenën ndërkombëtare do t’ia rriste edhe më tepër lavdinë klubit të tyre dhe protagonistëve të shquar të asaj fitoreje të parë të titullit kampion në fillimvitet 30-të, si Klani Marjani me shokë, e veçanërisht do ta bënte edhe më shumë krenar një hero të gjallë të atij brezi, Tato Bimblin, i cili në dhjetorin e kaluar mbushi një shekull jetë! Në përpjekje për të gjetur e për të kapur më të mirën në këtë zhurmnajë që na ka përfshirë, sidomos në këto ditë fushatash plot premtime e përbetime të gënjeshtërta, rasti i “Skënderbeut” që shpallet kampion i vendit në futboll për të 5-n herë radhazi, është e vërteta më e saktë që jemi duke e prekur dhe po i gëzohemi, bashkë me korçarët, edhe pse arritja e tyre duket e pamundur të përsëritet më nga ndonjë ekip tjetër i yni, po aq sa duken të tilla për tu realizuar edhe projektet shpesh sureale të paraqitura prej kandidatëve llafazanë që po bëjnë ç’mos, nëpërmjet paraqitjeve të tyre artificiale, për të qenë patjetër ata pronarë të njërës prej 61 njësive bashkiake, pas votimeve të 21 qershorit të ardhshëm. Ekipi “Skënderbeu” është ende nën efektin e një të përkëdheluri, pas suksesit të radhës, megjithatë, emri i tij, çuditërisht, ende nuk po përdoret aq sa mendohej nga “fushatistët” e tanishëm, përveçse një rasti si me humor, duke dashur që triumfin në fjalë një parti ta bënte vepër të sajën! Ndoshta, do bëhej mirë të flitej më shumë, jo vetëm për këtë ekip kampion, por edhe për të gjithë sportet, se siç po shihet, nga gjithë ajo katrahurë sajesash të shumta që kandidatët po nxjerrin në tregun e tyre elektoral, nuk është dëgjuar asgjë për të ardhmen e kësaj fushe, ende të lënë djerr, aq sa nuk dihet se kush e drejton dhe e qeveris atë. Mesa duket, ecja e sportit në të ardhmen do të vazhdojë kështu, pa asnjë orientim e pa rregulla e ligje të qarta prej shtetit apo bashkive, përgjegjësia e të cilëve deri tani ka qenë jo fort bindëse. Por, ta përdorësh suksesin, si në rastin e “Skënderbeut”, por edhe të ndonjë tjetri, vetëm si një fasadë zbukurimi, kjo nuk përbën gjë tjetër, veçse mashtrimin e radhës në këtë vend!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: