Futbolli shqiptar ka njohur edhe një tjetër ekip kampion për këtë sezon, atë të Kategorisë së Parë, që është Skënderbeu. Pavarësisht barazimit 0-0 ndaj Lushnjes, korçarët siguruan titullin kampion të kampionatit të Kategorisë së Parë vetëm ditën e sotme, ndërsa përfituan edhe nga humbja e Dinamos me Luzin.

Gara ishte ende e hapur, pasi Skënderbeu renditej në vendin e parë me 48 pikë, një më shumë se Dinamo e vendit të dytë. Sakaq, me përfundimin e ndeshjes së sotme ndaj Lushnjes, që përkon edhe me javën e fundit të kampionatit, korçarët u shpallën zyrtarisht kampionë të Kategorisë së Parë. Gjatë këtij edicioni, skuadra e Skënderbeut ka grumbulluar në total 49 pikë, ku nga 26 ndeshje të luajtura ka fituar 13, barazuar 10 dhe humbur tre ndeshje.

Në ceremoninë e organizuar në përfundim të takimit nga Federata Shqiptare e Futbollit ishte i pranishëm zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu i cili i dorëzoi medaljet dhe trofeun e kampiones skuadrës korçare, që siguroi kështu ngjitjen në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Kampionati i Kategorisë së Parë nisi më 3 shtator, duke ulur siparin ditën e sotme. Së bashku me Skënderbeun, edhe skuadra e Dinamos ka siguruar ngjitjen në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb