“BalkanWeb” sjell të zbardhura pjesë të tjera nga dosja e SPAK për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, ku të përfshirë ishin gjyqtarë, avokatë e familjarë.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, “BalkanWeb” ka zbardhur lëvizjet e gjyqtares Mimoza Margjeka, bashkëshortit të saj, Arben Cara, dhe avokatit Skënder Demiraj, teksa bëjnë pazarin për lirimin e të Orion Balit, i arrestuar për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Përgjimet e mëposhtme tregojnë se si gjyqtarja me bashkëshortin dhe avokatin arrijnë të lirojnë Balin, përmes një garancie pasurore.

Pjesë nga përgjimet:
Më datë 29.07.2020, në orën 12:43 Skënderi komunikon me Klodin dhe i thotë nëse do e ndihmojnë për ato që i ka thënë në orën dy, dy e gjysmë. Klodi i përgjigjet që patjetër. Skënderi atëherë i bën me dije se t’i mbajë gati dhe t’i marrin me vete. Më pas, Klodi komunikon me të atin Albertin dhe e bën me dije se Skënderi do një pesçe, shqiptare, dhe do të shkojë t’i marrë te një shoku i tij, por pyet se mos i bën ndonjë karagjozllëk. Berti i thotë t’ia japë pa merak.

Rreth orës 13:20, shtetasi Arben Cara është takuar me bashkëshorten e tij, shtetasen Mimoza Margjeka, dhe me ta ka qenë edhe një person i moshës rreth 60 vjeç. Pas disa minutash gjyqtarja është futur në Gjykatën e Apelit Korçë, ndërkohë që shtetasi Arben Cara dhe personi tjetër kanë qëndruar në një bar.
Rreth orës 13:30 shtetasi Skënder Demiraj dhe Nejton Bali kanë shkuar para gjykatës, ku pasi kanë qëndruar për pak në një bar kafe përballë gjykatës, shtetasi Skënder Demiraj është ngritur dhe ka hyrë në gjykatë.

Rreth orës 14:05 shtetasi Arben Cara ka dalë nga një lokal dhe me makinën e tij ka parkuar në oborrin e gjykatës, duke hyrë më pas në ambientet e brendshme të gjykatës.

Më datë 29.07.2020 në orën 14:26, Klodi komunikon me Bertin dhe ky i fundit e pyet se ku t’i çojë ato që i ka dhënë Eti. Klodi i thotë t’ia japë Skënderit dhe e bën me dije se janë paratë për garanci pasurore.

Rreth orës 14:34 shtetasi Arben Cara ka dalë nga ambientet e gjykatës dhe është ulur në një bar kafe, në një tavolinë të ndryshme, por në të cilën ndodhej ndërkohë i ulur Nejtoni.

Rreth orës 15:12 Skënderi del nga gjykata dhe Nejtoni ngrihet nga kafja. I telefonon të ëmës dhe i thotë se Orioni ka dalë.

Më datë 29.07.202 në orën 15:11 Skënderi komunikon me Klodin dhe i thotë se mbaroi punë. Klodi e bën me dije se është te shtëpia në Radanec, por po shkon te hoteli, sidoqoftë i thotë të çojë shoferin te hoteli, pasi ia ka lënë Bertit.

Rezulton po ashtu se një shtetas i identifikuar si Ervis Cani ka kryer më datë 29.07.2020 pagesën prej 500 000 mijë lekësh e caktuar si garanci pasurore për shtetasin Orion Bali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb