Një grabitje ka ndodhur në fshatin Çernene të Dibrës, ku gjashtë persona janë futur në një banesë, duke dhunuar çiftin që ndodhej brenda dhe marrë gjithçka. Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se burri e gruaja ndodheshin vetëm në banesë, pasi djemtë i kishin në kurbet.

Hajdutët iu janë futur në shtëpi rreth orës 23:00, kur çifti ka qenë duke parë televizor. Çifti i grabitur është Rrahman dhe Hasije Dulja, ndërsa kjo e dyta tregon mes lotësh për gazetarin e “BalkanWeb”, Enver Doçi, gjithë skenën e tmerrit, të cilën e quan si një film me luftë të keqe.

“Ishte ora 11, po shihni televizor, kur troket dera e shtëpisë. Dolëm te dera, ata bërtisnin hapni derën dhe ne nuk e hapëm. Këmbëngulën dhe në fund thyen derën dhe u futën brenda 6 persona. Kapën burrin, e rrahën e shtynë përtokë me fraktura te syri dhe veshi. Pasi hynë brenda, 2 persona më kapën edhe mua, ndërsa të tjerët kërkuan lekët. Nuk kishin maska, as doreza, vetëm me kapuç, rreth moshës 22-23-vjeçare. Ishin pa doreza, se na kapnin, kapën burrin tim, e tërhoqën dhe e futën në një dhomë. Unë e kapa njërin për kapuçi, ai më theu gishtin e dorës. Më shtrinë përtokë me shkelma.

Kur më ra për herë të parë, m’u morën mendtë, rashë pa ndjenja, pastaj më erdhi zëri, se dëgjova burrin që rënkonte. Dy kapën e rrahën burrin tim, dy tjerë më kapën mua e më rrahën, dy të tjerë po kërkonin lekët. Ata tentuan të më marrin edhe vathët nga veshi, e ula trupin dhe nuk ma morën dot. Njëri ma futi dy herë në shkelm te brinjët, mezi marr frymë. Pastaj ikën, u ngrita dhe erdha te dhoma e nuses, që e kisha me çelës, dhe pashë që kishin marrë gjithçka të fëmijëve. I thashë burrit që i kanë marrë, po ai më tha ‘a je mirë ti’. Kur pashë burrin ishte i larë në gjak.

Në një komedinë të mbyllur me çelës ka pasur florinj, të cilat i kishin marrë. Gjithashtu, kanë grabitur edhe çantën e gruas, në të cilën ka pasur kartë identiteti, lekë dhe receta mjekësore. Le t’i merrnin të gjitha ato, vetëm mos të na rrihnin.

Mua le të më rrihnin, vetëm pse e kanë bërë burrin ashtu, atyre njerëzve nuk ua fal. Të ma bëjnë burrin ashtu të nxirë, nuk e fal, shteti duhet t’i gjejë ata njerëz, se nuk iu kemi kujt borxh.

E gjithë ngjarja ndodhi për pesë minuta, sapo ata u larguan, ne shkuam te komshinjtë për të kërkuar telefon, pasi grabitësit na e vodhën, dhe lajmëruam policinë. Kam parë tmerr, film, si luftë e keqe, na kanë shkatërruar, nuk marr dot frymë, jam edhe e sëmurë me zemër”, ka thënë e zonja e shtëpisë.

Ndërkohë, policia ka premtuar se do të zbardhë ngjarjen shumë shpejt. Nga hetimet e deritanishme, uniformat blu kanë konstatuar që grabitësit kanë qenë me makinë, të cilën e kishin lënë 200 metra larg vendngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb