Nga Ilir Kalemaj

Zgjedhjet në SHBA dhe referendumi mbi Brexit dëshmuan qartë që ndarjet ideologjike sot përveç kapërcimit të vijave tradicionale liberal/progresistë nga njëra anë, konservatorë në anën tjetër, apo globalistët përballë nacionalistëve (ku këta të fundit mund të jenë të bardhë supremacistë, identaristë apo antiglobalistë të ekstremeve të majtë dhe të djathtë), marrin për bazë edhe faktorë të tjerë, që duhen parë me vëmendje nëse gjejnë replikim edhe në vendet e tjera europiane, që përballen me zgjedhje të përgjithshme këtë vit apo tjetrin.

Një nga këto veçanti është fakti që nuk është vetëm baza, statusi social dhe ekonomik që thekson prirjen ndaj njërit formacion apo tjetrit, majtas apo djathtas spektrit politik.

Ajo që shfaqet si diçka e re është kombinimi i statusit socio-ekonomik me nivelin e edukimit dhe pse jo edhe me variablin e background-it kulturor.

Fjala bie, në SHBA, Presidenti Trump u votua nga mbi 70 për qind e meshkujve të bardhë pa një diplomë kolegji/universitare dhe kjo shifër ishte edhe më e lartë kur faktorë socio-ekonomikë si ‘background-i punëtor (blue collar) apo i punëkërkues aktiv shtohej në ekuacion. Akoma më dramatike në zgjedhjet e fundit parlamentare në Britaninë e Madhe ku një “neo-Marksist” si udhëheqësi i laburistëve Jeremy Corbyn, ndonëse i sulmuar edhe nga një fraksion i konsiderueshëm brenda partisë së tij (të moderuarit, Bleristët dhe anti-Brexit), arriti të fitonte në zona ku laburistët nuk fitonin prej 150 vjetësh dhe ishin bastione konservatorësh si Canterbury ose në lagjen e supe të pasurve në zemrën e Londrës (Kesington) ku vlera e shtëpisë mesatare i ofrohet 2 milionë eurove, e paimagjinueshme nëse do merrej në konsideratë vetëm racionalja ekonomike e përzgjedhjes nga ana e votuesit. Ndërkohë, Theresa May dhe konservatorët u votuan në disa zona rurale nga më të varfrat per capita në ishullin euro-skeptik.

Edhe në zgjedhjet parlamentare në Gjermani u vu re se AfD-ja e ekstremit të djathtë u votua në masë të konsiderueshme nga shtresa të mesme të varfra me edukim fillor dhe të mesëm në zona me zhvillim nën mesatar, duke sjellë reminishenca të periudhës naziste, ku partia hitleriane social-punëtore e kishte bazën kryesore të elektoratit te pjesa më e pamundur e shoqërisë, ndonëse kishte edhe financues industrialistë të fuqishëm, gjithnjë në hapat e para përpara ardhjes në pushtet dhe konsolidimit të regjimit totalitar. Në Francë, Macron arriti nëpërmjet një mesazhi të unifikuar elektoral dhe të qënurit konsistent në qëndrimin pro thellimit të BE, për më tepër fleksibilitet të tregut të punës dhe te theksi mbi edukimin dhe inovacionin të fitonte terren si kurrë më parë ndaj Partisë Republikane të qendrës së djathtë dhe thuajse të asgjësonte socialistët francezë, të cilët në të dyja rastet u mungonte një lidership bindës apo një “xhaketë e re” në krye. Ngelet për t’u parë nëse këto zhvillime do reflektohen në Italinë fqinje, ku deri tani Forca Italia e qendrës së djathtë nën drejtimin e Berluskonit vijon të udhëheqë në sondazhe e ndjekur nga populistët e Cinque Stelle dhe socialistët e Renzi-t. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: