Njihuni me gratë që do të jenë pjesë e skuadrës konkurruese të Lojërave Olimpike Rio 2016 pa përfaqësuar një atdhe, pa një flamur apo një himn

Komisioni Olimpik Ndërkombëtar lajmëroi së fundmi se katër gra dhe gjashtë burra janë pjesë e skuadrës së parë të formuar vetëm nga refugjatët.

Skuadra Olimpike e Refugjatëve, siç do të njihet, do të konkurrojë në vrap, not dhe xhudo dhe është e përbërë nga atletë të Sudanit të Jugut, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia dhe Siria.

“Këta refugjatë nuk kanë as shtëpi, as skuadër, as flamur, as himn kombëtar”, tha presidenti i komisionit, Thomas Bach, në një deklaratë. “Do t’i ofrojmë atyre një shtëpi në Fshatin Olimpik bashkë me të gjithë atletët e botës. Himni olimpik do të luhet në nder të tyre dhe flamuri olimpik do të shoqërojë ata në Stadiumin Olimpik. Ky do të jetë një simbol shprese për të gjithë refugjatët në botë dhe do ta ndërgjegjësojë botën për magnitudën e kësaj krize”.

“Ky është gjithashtu një sinjal ndaj komunitetit ndërkombëtar se refugjatët janë qenie njerëzore si ne dhe janë një pasuri për shoqërinë. Këta atletë refugjatë do t’i tregojnë botës se pavarësisht tragjedive të paimagjinueshme me të cilat ata janë përballur, kushdo mund të kontribuojë në shoqëri përmes talentit, aftësive dhe forcës së shpirtit njerëzor”, përfundoi presidenti i Komisionit Olimpik Ndërkombëtar.

Ja se cilat janë katër gratë e skuadrës
Anjelina Nada Lohalith
E lindur në Sudanin Jugor, Anjelina Nada Lohalith jeton tanimë në Kenia dhe merr pjesë në garën e vrapit me 1500 metra. Sipas të dhënave të Komitetit Olimpik, 21-vjeçarja u njoh si refugjate në qershor të vitit 2014.

Ajo mbërriti në Kenia në vitin 2002, pasi iu largua luftës dhe u përfshi në vrapim në shkollën e mesme. Ajo është stërvitur me fondacionin “Tegla Loroupe” (që mban emrin e trajnerit të saj) që atëherë. Familja e saj ndodhet ende në Sudanin e Jugut.

“Vajtja në Rio do të më japë mundësinë të takoj shumë njerëz të ndryshëm, të ndërveproj me ta dhe të mësoj aftësi të reja”, tha ajo në një deklaratë. “Do të shoh shumë vende që nuk kam mundur t’i shoh më parë dhe mund të kem sukses në një farë mënyre; mund të fitoj disa para, të paktën sa për të përmirësuar jetën e familjes sime”.

Rose Nathike Lokonyen
Gjithashtu nga Sudani i Jugut, Rose Nathike Lokonyen jeton në Kenia dhe do të garojë në vrapin 800 metërsh. Lokonyen është 23 vjeçe dhe u largua nga vendi i saj 14 vjet më parë, 13 prej të cilave i shpenzoi në qendrën Kakuma të refugjatëve në Kenia, ku doli e dyta në garën e vrapit zbathur.

Katër motrat dhe vëllezërit e saj vazhdojnë të jetojnë në Kakuma dhe prindërit e saj janë ende në Sudanin Jugor. “Do të jem shumë e lumtur të mbaj flamurin e refugjatit, sepse këtu e fillova jetën time dhe ku takova njerëz të tjerë”, tha ajo në deklaratën e saj për shtyp. “Fatmirësisht, mund të bëhemi bashkë si një skuadër edhe pse jemi nga vende të ndryshme dhe kjo do të na ndihmojë të ndërveprojmë me njerëz nga vende të ndryshme të botës”.

Yolande Bukasa Mabika
Yolande jeton në Brazil dhe është me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos. Në Lojërat Olimpike ajo do të konkurrojë në kategorinë e xhudos deri në 70 kilogramë.

Mabika u largua nga qyteti i saj, Bukavu, tre vite pasi shpërtheu lufta civile. Në atdhe ajo konkurronte në nivel profesional. Ajo arriti të sigurojë azil në Brazil pas Kampionatit Botëror të Xhudos 2013 që u mbajt në Rio.

“Mesazhi im për refugjatët do të jetë të mos heqin dorë nga shpresa dhe të vazhdojnë të besojnë, të kenë besim në zemrat e tyre”, tha ajo në një deklaratë.

“Kemi kaluar shumë vuajtje në Kongo dhe kjo është ende e pranishme atje. Ky është rasti i shumë refugjatëve në botë, të cilët vuajnë nga humbja e familjes në luftë dhe vrasje”.

Yusra Mardini
Notarja Yusra Mardini është një siriane që ka siguruar azil në Gjermani. Mardini u largua nga Damasku i Sirisë bashkë me motrën e saj Sara, vetëm 10 muaj më parë. Ato u larguan në gusht, udhëtuan në Liban dhe Turqi përpara se të ndërmerrnin një udhëtim të rrezikshëm me varkë në ishullin grek të Lesbos.

Ajo jeton në Berlin tani dhe duke folur në ceremoninë hapëse të deklaratave të atletëve ajo tha: “Do të mendoj për familjen, trajnerin, miqtë dhe këdo që më ka ndihmuar dhe do të mendoj se sa krenare jam që ia dola dhe do të përpiqem të rikthehem në atdhe”.

Gjashtë burrat që do të jenë pjesë e skuadrës janë Misenga nga Republika Demokratike e Kongos, i cili konkurron në xhudo në peshën 90 kilogramë; Rami Anis nga Siria që konkurron në not; Yiech Pur Biel nga Sudani i Jugut që konkurron në vrapin 800 metra; James Nyang Chiengjiek nga Sudani i Jugut që garon në vrapin 400 metra; Yonas Kinde nga Etiopia që do të marrë pjesë në maratonë dhe Paulo Amotun Lokoro nga Sudani i Jugut në vrapin 1500 metra.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: