Nga: ARTAN SHABANI*
Rrënimi i ish-perandorisë komuniste në Lindje në të gjitha aspektet e saj, përfshirë edhe atë urban, arkitektonik dhe artistik, po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e fotografëve perëndimorë. Fotografi Robert Hackman, australian me banim në Londër, i cili vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me një ekspozitë personale, në këtë pikë ecën në një terren të shkelur gjithmonë e më shumë pas vitit 2000: kujtojmë këtu Armin Linke dhe Srdjan Jovanovic Weiss me ciklin fotografik “Socialist Architecture: The Vanishing Act”, fotografitë e jashtëzakonshme të Frederic Chaubin në “CCCP: Cosmic Communist Constructions Photographed” apo Rebecca Litchfield “Soviet Ghosts: The Soviet Union Abandoned: A Communist Empire in Decay”. Por më së shumti ai të kujton fotografin belg Jan Kempenaers me serinë “Spomenik, The Monuments of Former Yugoslavia”.
Shpeshherë kur shkruhet për monumentet, një nga shprehjet më të përdorura është ajo e romancierit austriak Robert Musil, i cili në vitet 1920 shkruante se: “Gjëja më e spikatur rreth monumenteve është se njeriu nuk i dallon ato. Asgjë në këtë botë nuk është më e padukshme sesa një monument. Megjithatë, ata janë ngritur, pa dyshim, me qëllim për t’u parë”. Hackman ka bredhur rreth e qark Shqipërisë për disa vite me radhë, në një përpjekje për të testuar vërtetësinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj teme.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjithë periudhës socialiste, nëpër gjithë Shqipërinë deri në fund të viteve 1980, u ndërtuan me qindra monumente nga një brez i tërë skulptorësh, artistësh dhe ideologësh, të cilët përmes arteve vizuale përpiqeshin të ndërtonin identitetin kombëtar dhe kujtesën e re publike të fitimtarëve, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në raport me historinë e vendit dhe lokalitetit.
Lapidarët dhe monumentet e ngritura kudo përkujtonin ngjarje historike të kaluara, sidomos nga Lufta e Dytë Botërore, heronj të luftës apo të punës socialiste, persona apo simbole me rëndësi të madhe për identitetin e një komuniteti të caktuar në Shqipëri. Shpesh ato paralajmëronin mosharrimin e ngjarjeve specifike negative, e cila shënjonte armiqtë në mënyrë permanente, historike. Me përmasat e tyre shpeshherë të tepërta, baroke, këto skulptura, lapidarë dhe monumente ndërtoheshin sipas formulave të realizmit socialist dhe karakterizoheshin në esencë nga kulti stalinist i personalitetit, me qëllim jo informimin, por dominimin, trullosjen dhe nënshtrimin e shikuesit.
Pas ndryshimeve dramatike politike të viteve 1990, skulpturat, lapidarët dhe monumentet tashmë të privuar nga konteksti historik dhe ideologjia e cila i ndërtoi, janë përpirë nga peizazhi urban apo natyral, të harruar dhe braktisur nga banorët vendas. Shkaqet për këtë janë të shumta, por më së shumti vijnë si një lloj kundër reagimi njerëzor karshi një sistemi të dhunshëm dhe megaloman që zgjati për dekada me radhë në Shqipëri, për të cilin shumica e shqiptarëve sot nuk ndjen nostalgji.
Shenjat madhështore të së kaluarës, këto nodule urbane, sot të dekontekstualizuara e shpeshherë të lëvizura nga vendi ku fillimisht u ndërtuan, janë kryesisht të gjëmuara vetëm nga turistë të guximshëm në kërkim të shenjave të lokales historike specifike, të palodhur nga e shkuara ish-socialiste e pajetuar e Shqipërisë; shenja vizuale disi të pakuptimta për një shoqëri moderne, shpeshherë në mëshirë të fatit dhe formimit personal e raportit historik të qytetarit/pronarit të tokës/banorit të zonës më së shumti në kontakt me to, ashtu si e dëshmojnë edhe këto fotografi.
Distanca e pakët nga koha e ndërtimit të tyre e thekson në mënyrë akoma më dramatike rrënimin e ideologjisë dhe tezës mbi të cilën u ndërtuan si dhe pafuqinë e strukturave aktuale lokale për të garantuar një minimum të domosdoshëm jetik të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së tyre.
Robert Hackman përpiqet t’u shmanget përsiatjeve dhe turbulencave politiko-historike të këtij vendi të vogël dhe të përqendrohet më së shumti në cilësitë formale të objektit, duke synuar reflektimin mbi to nga një qasje thuajse asnjanëse estetike dhe hapjen e tyre drejt interpretimeve të reja.
Nëpërmjet një këndi të gjerë, ngjyrave të theksuara dhe dinamike, fokusit tek e përditshmja normale e dekontekstualizuar e heroikes së djeshme, Hackman përpiqet të jetë më shumë një dokumentarizues inventarizues sesa një nostalgjik ideologjik (apo triumfatori oksidental), të qëndrojë në rolin e një kronikani modern, një lloj liberatori objektesh të harruara e të neglizhuara në një marrëdhënie të vështirë e shpesh të përçudnuar tashmë me ish-rrezen e tyre të veprimit. Dhe shpeshherë ia arrin kësaj.
Kjo seri e shtyn shikuesin të reflektojë se të njëjtat vepra tashmë nuk qëndrojnë më si monumente glorifikuese, por si dëshmi e marshit të kohës dhe dallgëve të historisë, të cilat në gjendjen e tyre të mjerueshme dhe melankolinë në të cilën tregohen këtu, sot, japin më së fundmi një dëshmi të asaj, që as ato, e as sistemi i cili i krijoi, nuk e pati dot gjatë asaj periudhe: njerëzoren. Me sa duket, do duhen kalime të fuqishme historike që monumentet dhe lapidarët e fshehur nën bronze ideologjike të fillojnë të shihen.
*Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: