Nga FATMIRA NIKOLLI*

Ekspozita “Skulpturë”, nudo femrash, kuaj dhe foto të veprave të 1980-ës*

Femra të dobëta, të trishta, me këmbë të kryqëzuara, me trup të mbledhur, herë të shtrira e të mbledhura kruspull, e herë të tjera, me sy mbyllur por me pozën e një njeriu në ekstazë. Nudo, të brishta, delikate, sensuale, me flokë të mbledhur a të harlisur për aq sa mund ta lejojë një skulpturë.
Matanë, natyra të qeta, ku mund të gjesh gjithë ç’është normale, në dukje, gjëra të thjeshta, por të para si pjesë e së tërës, marrin tjetër vlerë. Në dhomëzën tjetër janë vënë kuajt. Herë si dëshmi të forcës, herë si dëshmi të bukurisë, mandej epërsia muskulore e deri tek miti i Pegasos.

Mes tri ndarjeve ka elementë që i përbashkojnë të ndryshmet e të njëjtit artist. Udhëtimi artistik sjell edhe fotografitë e veprave të mëhershme, ato të viteve studentore, që të grishin në të tjera kohë, ndjesi, gjendje, e kujtime. Portrete miqsh si në rastin e Ani Spahivoglit, një kapter i kohës, që ngjan aq shumë me Shvejkun (majtas në rreth) e Jaroslav Hashek, e diku më tej, modeli i shkollës.
Veprat e 1989-ës ndërthuren me punë të viteve fundit, ku veçohen, “raftet”, struktura prej allçie, “ditarë” të ngurtë të punëve të ndryshme, që qëndrojnë kaq kryelartë, mes së shkuarës e së tashmes, që sjell në fakt, krijimtarinë e Arben Bajos.

Galeria FAB ka çelur mbrëmë ekspozitën “Skulpturë” të Bajos, me kurator Ardian Kapo. 36 skulptura e 10 fotografi të mëdha qëndrojnë së bashku, herë duke u krahasuar me njëra-tjetrën e herë duke e shoqëruar njëra-tjetrën. Duket se punët e tij janë ditarë kohësh të ndryshme, ditarë të ngurtë. Artisti fjalëpakë rrëfen për “GSH” disa prej ndjesive mbi ekspozitën.

Zoti Bajo, pse vendosët të sillnit skulptura të dy kohëve?

Në fillim doja vetëm të bëja një ekspozitë, pastaj duke biseduar me kuratorin, më dha idenë që të vendosim disa punë nga e kaluara. Ndaj kemi vënë foto të veprave të mia, nga periudha kur isha student. Janë 10 foto dhe 36 skulptura, që ekspozohen për herë të parë. Janë 4 cikle, fotot, nudot, raftet dhe kuajt e natyrat e qeta.

Në fakt raftet janë një gjetje e këndshme, i ngjanë pjesërisht një instalacioni, nëse mund ta quajmë kështu. Cila është simbolika e tyre?

Raftet janë si një koleksionim i të gjitha punëve të mia të vjetra, të një periudhe të krijimtarisë sime që i kam vendosur në të njëjtin vend. Ka objekte të ndryshme, skulptura më vete që janë bashkuar dhe kanë krijuar një lloj instalacioni. Si një lloj ditari i kthyer në skulpturë.

Pse nudot tuaja janë femra shumë të dobëta. Duken edhe të trishtuara?

Ashtu i shikoni ju. Nuk mendoj se janë të dobëta.

Janë elegante?

Dikur simboli i femrës kanë qenë femrat e bëshme, të kolme. Në historinë e njerëzimit kanë kaluar në art dhe janë trajtuar të gjitha llojet e formave. Po të shohësh sot, modelet e modës janë të gjitha të dobëta.
Të tëra llojet e formave kanë sensualitetin e vet. Ka të dobëta, të plota, si femrat e pikturuara nga Rubens-i dhe ato që janë kthyer në skulptura që janë si Venusi i Milesit, deri tek Egon Schiele, që i bën të dobëta. Mandej, po të shohim në një libër mbi bukurinë që ka shkruar Umberto Eco ka shembuj të ndryshëm: ka pikturë nga Rubens, skulptura nga Ferndando Botero dhe një foto të Kate Moss, që është gati anoreksike. Mua më tepër më ka interesuar anatomia, një lloj sensualiteti që ka vetë ferma.

Ofrohen dy gjendje në ekspozitë, duke qenë se janë dy kohë. Një gjendje lirie, që është kjo që ju krijoni sot dhe një gjendje tjetër, ajo periudha e ngërçit, kur ju ishit student. Si përplasen këto dy gjendje, këto dy kohë, në fillim brenda jush e pastaj në punën tuaj?

Ato kanë ngelur më tepër si reminishenca të së kaluarës dhe në fakt, ato ballafaqohen me të sotmen se si unë kam zhvilluar pjesën time artistike, që tregon një lloj konsekuence që unë nuk e kam humbur. Jam marrë gjithmonë me figurën e njeriut. Me idenë për ta çuar më përpara dhe për të gjetur një gjuhë timen personale.

Një prej punëve tuaja kur ju ishit student, të krijon një ide të Shvejkut, por jo plotësisht. Kush është ai personazh?

Ai ka qenë një model në shkollë, një model i veshur ashtu si aty, bile ne e ngacmonim, sepse ai kishte qenë një kapter i asaj kohe. Është tipik një Shvejk i asaj epoke. Ka një lloj ekspresioni shumë të fuqishëm, që edhe sot e kam pak zili, sepse sa më i ri je, aq më i fuqishëm je edhe në shprehjen e ndjenjave dhe emocioneve që ke. Kur rritesh pastaj, rafinohesh dhe bëhesh më sintetik, ndoshta mendimet e tua janë më të kuruara, gjë që duket edhe në punën tënde.

Mbi ç’bazë janë përzgjedhur fotot e punëve të kohës së shkollës?

Kam pasur më tepër, por mos kujtoni se na kanë shpëtuar shumë gjëra. Nuk po u shpëtojnë muzeve.

Ju i keni ruajtur vetë?

Kanë qenë pjesë e fotove të mia. Për fat të mirë i kam. Janë si pjesë e historisë tënde, si e ke nisur dhe si e ke zhvilluar ditët e sotme. Ka pasur edhe foto të tjera, por kanë rezolucion shumë të dobët dhe nuk bëheshin për ekspozitë.

A ka ndonjë prej fotografive një histori të veçantë pse është krijuar?

Kanë qenë thjesht studime akademike. Më përjashtim të portreteve që kanë qenë portrete jashtë klase, që janë të miqve të mi, nuk kanë ndonjë histori të veçantë.

Në ç’vit janë bërë?

Në vitet 1988-1992. Ishte fundi i një epoke.

Ndaj krijimtaria ka qenë pak më e lirë, apo ndjehej ngërçi?

Po sigurisht që ndjehej, e kanë ngërçin e epokës. Sigurisht që nuk ishte si në vitet 1980, por një lloj kufizimi kishte, nuk diskutohet.

Si i ndërthurni natyrat e qeta?

Janë objekte që unë shpesh i shoh rreth e rrotull. Inspirohem nga gjëra që më rrethojnë, edhe ato që në pamjen e parë të duken pa rëndësi.

Disa prej këtyre natyrave të qeta mund të jenë skulptura parku?

Po, por kjo është histori më vete. S’ka hapësira për skulptura parku. Është një problem. Nuk është se skulptorët nuk duan të merren me këtë, por çdo gjë e ka uzurpuar ndërtimi. Nuk ka më vende as për të luajtur kalamajtë e jo për të vendosur skulptura.

A keni një modele për veprat tuaja? Dikur Akademia kishte një modele. Po sot?

Sot është e njëjta situatë. Akademia ka modele në programin mësimor e ka modelin, ndërsa ne artistët e zgjidhim në mënyrë personale.

Ju keni një modele?

Një artist që ka vite që merret me skulpturën, shpesh nuk ka nevojë të mbajë modele. E ka krijuar personalitetin e tij dhe punon edhe me foto. Jo domosdo duhet të punojë me modele.

Ekspozita juaj e fundit ishte para katër vitesh. Si ka qenë udhëtimi?

Kam pasur shumë punë. Atëherë solla ekspozitë me portrete, sepse gjinia e portretit më pëlqen.

(Botuar sot në Gazetën shqiptare)
(ar.sh/BakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: