E keni parasysh atë 5-ën me shkelma që mësuesit u vënë nxënësve që mezi marrin klasën? Për të mos i mbetur, edhe për të mos i duruar prap vitin tjetër, edhe pse nuk e meritojnë, ata mbyllnin njërin sy dhe i kalojnë.

Kështu po na ndodh edhe neve me proçesin e integrimit në Bashkimin Europian. Duhet ta themi troç, kemi ngelur në klasë, nuk e kalojmë dot, nuk bëjmë dot detyrat e shtëpisë që na ngarkojnë mësuesit. Për këtë arsye, njëri nga mësuesit (Gjermania) na dha një 5, me kushtin që vitin tjetër do mësojmë më shumë. Por disa mësues të tjerë akoma nuk janë bindur. E mbani mend që ka mësues më të cilët ti e ke mire dhe që ata mundohen që t’ia thonë një fjalë të mirë edhe mësuesit tjetër? Këtë po bën edhe ky mësuesi që na vendosi një 5 me shkelma. (Gjermania).

Po çfare ka ndodhur që ne nuk e marrim dot klasën me forcat tona, kur të gjithë të tjerët, kanë mundur të marrin nota edhe më të mira?

Çfarë na penalizon ne?
Eshtë e thjeshtë dhe ne duhet ta pranojmë të gjithë, që ata që kemi mandatuar për të na drejtuar nuk janë të zot t’i plotësojnë kushtet që na kërkohen, në mënyrë që rrugëtimi ynë drejt Europës të vazhdojë. Dhe ne, për çudi, si kombi më unikal në botë i këtij lloji, nuk kërkojmë llogari.

Ne zhvillojmë zgjedhje me një kandidat, mijëra qytetarë nuk dalin të votojnë e të shprehin vullnetin e tyre, disa të tjerë shkojnë me forcë, e të tjerë kërcenohen për të votuar.

Ne akoma vazhdojmë të dërgojmë tonelata me drogë drejt vendeve të Europes. Ne akoma vazhdojmë të mbjellim drogë dhe kjo është e konfirmuar nga shumë qytetarë e gazetarë, por asnjëri nuk ka guxim të shkojë e të filmojë, sepse e pret pushka, sepse lordët e drogës, nuk u bën syri tërr, sepse kanë mbrojtje nga lart.

Ne akoma vazhdojmë të mos kemi punë, e sidomos për të rinjtë. Unë jam një nga ata, që dua të qëndroj këtu, ama s’kam argument që ta kundërshtoj një të ri kur më thotë: Pse duhet të qëndroj unë këtu? Cfarë të ardhme kam unë këtu? A mundet unë të blej një shtëpi këtu? A mundet unë të rris fëmijët e mi këtu? Nuk kam më argument, që t’i kundërpërgjigjem.

Kam parë me sytë e m’i sesi fshtrat janë braktisur, ka vetëm të moshuar. Jo vetëm fshtrat por edhe qytetet po braktisen. Pse? A duan prinderit t’i çojnë fëmijët e tyre nëpër botë? E bëjnë këtë sepse këtu s’ka më të ardhme.

Këtu janë 10 njerëz të cilët na e kanë marrë të ardhmen. Na kanë kapur për fyti dhe na lejojnë vetëm sa të marrim pak frymë, në mënyrë që mos na marrin jetën. Ne hamë, marrim frymë, pimë, fitojmë sa duan ata, asnjë qindarkë më shumë. Prandaj të gjithë ikin!

Ikin sepse femrat këtu, në çdo punë në të cilën aplikojnë, shikohen si plaçkë seksuale. Duhet patjetër të kalosh nga zyra e drejtorit që të marrësh vendin e punës. Kjo nuk është retorikë, kjo është një e vertetë ulëritëse, që të bën të ikësh nga sytë këmbët, veç të mos qëndrosh më një moment më shumë në këtë vend.

Këtu Prokuroria përdoret nga partitë politike! Mos na fyeni inteligjencën dukë thënë se është e pavarur. Të gjitha pushtetet që kanë qënë e kanë përdorur, edhe ky pushteti aktual, po e bën. Po si ka mundësi, që 3 kryebashkiakë akuzohen se kanë fshehur krime në të kaluarën dhe akoma ky organ fle gjumë? As nuk ka bërë asnjë veprim. Pse? Sepse qartazi është e pozicionuar në krah të një force politike.
Këtu nuk ke Gjykatë Kushtetuese! Si mundet të qëndrojë një vend pa këtë Gjykatë, që është themelore në drejtimin e një shteti. Ja u çmend Kryeministri, Presidenti, (qoftë larg për të dy), kush do ta sigurojë këtë vend që mos të kryen “krime” në emër të tij? Po sikur nesër të ngrihen këta dhe të thonë, do ta japim me konçesion të gjithë Shqipërinë? A ka kush t’i ndalojë?

Në një vend normal dhe me qytetarë të ndërgjegjshëm, ata do e kishin bërë, por në Shqipëri, nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë.
Pse? Ne mund të rrimë pa uje, pa drita, ne mund të rrimë pa rrugë, pa shërbime, ne mund të na rriten taksat, ne mund të na blejnë votën, ne mund të korruptohemi, mund të korruptojmë, ne mund të shajmë e fyejmë këdo. Ne mund të vrasim, babi të birin e i biri babain, burri gruan e nusja vjehrrën. Dhe arsyet janë shumë serioze, janë një gardh, janë një fjalë, janë një thashethem, janë “pse s’ma bëre kafen pa sheqer”, e lloj-lloj. Qeveria mund të na lërë edhe pa breke, edhe pa ngrënë, ne nuk reagojmë, ama nese tifozi i Partizanit e i Tiranës me fyën, unë i marr gjak në vetull, ia plas me tullë kokës.

Cfarë populli i çuditshëm që jemi. Kemi lakun në qafë, kemi mundësi t’a heqim, por ne parapëlqejmë t’a mbajmë. Ndoshta se jemi mësuar! Edhe gomari, kali, kur mësohet kështu nuk reagojnë më, zbuten, dhe ti mund t’i bësh, ç’te duash, ai nuk reagon më!

Prandaj Europa na vë një 5, sepse ne nuk jemi ai nxënësi që punon, që përpiqet, që meson, që bën detyrat, ne jemi ai nxënësi që duam të kopjojmë, të jemi rehat, te mos bëjmë detyra, e të na i bëjnë detyrat. Sa keq jemi mësuar!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: