TIRANË

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani ka folur pas dëshmisë dhënë në Prokurorinë e Tiranës për padinë e ngritur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta ndaj tij.

Dvorani deklaroi se ka dhënë shpjegime duke e lënë gjithçka në dorë të prokurorëve. Ai theksoi se është në kompetencën e tyre të kryejnë veprimet që duhen.

“Kam dhënë shpjegime. Pastaj janë prokurorët që do ta vlerësojnë sipas bindjes së tyre. Në këtë rast unë jam askushi. Është nën autoritetin e tyre. Nuk jam këtu para jush që mbasi thirrem nga prokurorët dhe jap shpjegime para tyre, të deklaroj mediatikisht këshilla, rekomandime se si duhet të sillen prokurorët me mua. Është e pakuptimtë. Është në kompetencën e tyre të kryejnë veprimet që duhen”, deklaroi kreu i KED, i akuzuar nga Presidenti Meta për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave.

Me shumë modesti, Dvorani u shpreh më tej se nuk ka menduar që ka një status të privilegjuar dhe se shkuarja në Prokurori është një detyrim. Nuk e shikon si vendosje në një pozitë të vështirë padinë, kreu i KED duke theksuar më tej se do të përmbushë detyrimet e tij deri në fund.

“Si mund të mendoj unë a kam a s’kam besim tek organet e drejtësisë. Në Shqipëri duhet të mësohemi që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Nuk kam menduar që kam një status të privilegjuar. Nuk ka arsye të dal këtu me mburrje. Nuk ka asgjë për t’u mburrur. Nuk është as ndonjë arritje profesionale, është detyrim. Mua nuk më kanë vendos në asnjë pozitë të vështirë. Kam për detyrë të përmbush detyrimet e mia si i vetmi në Gjykatën e Lartë. Në KED nuk jam zgjedhur për meritat e mia por sepse shorti më lejon. Do përmbush detyrimet e mia deri në fund”, tha Dvorani.

I pyetur se sa ka shkuar stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë, Dvorani tha: “Praktikisht ka arritur numrin 35 mijë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb