Orges Shehi është i bindur se Tirana e tij e ka kaluar tashmë problemin me Erzenin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, pak ditë pas humbjes me shijakasit, trajneri i bardhebluve është i bindur se skuadra e tij e ka kaluar problemin, ndërsa Erzeni konsiderohet si diçka e lënë pas krahëve. Shehi analizon çka ndodhi në fushë, po kështu nuk pranon që dyshja Xhixha-Hasani vendosin te Tirana rezultatet. Shehi foli edhe për sfidën me Kukësin, renditjen e përgjithshme dhe 75 ndeshjet me bardheblutë.

Jeni mundur në sfidën me Erzenin. Kanë kaluar disa ditë, si e shihni situatën me gjakftohtësi?

Sigurisht që tani keqardhja është prezente për faktin që ne nuk arritëm të merrnim pikë në këtë përballje. Gjithsesi, duke u kthyer te ndeshja, jo çdo gjë është zi komplet siç mund të thuhet. Skuadra është munduar në fushën e lojës. Ka prodhuar lojë, raste, ndërsa në disa situata mund të ishim më të qetë dhe të qartë. Ama kjo vjen për shkak të dyndjes së madhe të kundërshtarëve në metrat e fundit çka bëhet më e vështirë. Në këtë ndeshje mendoj se një situatë e interpretuar ndryshe ose me sukses, pasi ne i kishim disa raste, sepse i kishim disa episode që të kthejnë gjithë rrjedhën e ndeshjes.

Statistikat për Tiranën janë kokëforte, fiton kur shënojnë Xhixha dhe Hasani. Skuadra është e varur nga ta?

Mendoj se skuadra është e gjitha që fiton. Nuk dua të injektohet ajo ideja që vetëm këta lojtarë janë. Ekipi është grup i gjithi. Fiton dhe humbet bashkë. Sigurisht brenda një grupi disa do të marrin skenën. Tani janë këta, por mund ta marrin të tjerët. Kemi lojtarë që bëjnë diferencën. Ka bërë mirë Xhixha dhe Hasani. Ekipi mund të kishte bërë më shumë. Ama edhe Kallaku ka ndihmuar skuadrën, si edhe Deliu dhe këtu flas për pjesën përpara. Patriku erdhi me vonesë, por ka qenë shërbyes për të tjerët. Mendimi im është i qartë. Në një kampionat të gjatë vetëm në fund mund të flasim për varësinë. I vërtetë është edhe fakti që ndeshjet e para ka qenë Xhixha vendimtar, ndonjë ndeshje edhe Hasani. Shpresojmë që sfida të tjera të shënojnë edhe Kallaku me Patrikun.

Ju shqetëson fakti që Partizani është larguar disi nga vendi i dytë ku jeni ju?

Partizani nuk më shqetëson fare që ka një diferencë. Ne kërkojmë të përmirësohemi vetë. Të marrim sa më shumë pikë. Renditja është diçka që nuk na shqetëson për momentin. Ka edhe 27 javë, kështu që nuk më shqetëson. Nuk është primare se cili ndodhet në vendin e parë dhe cili në të dytin. Ama duhet të përmirësojmë veten. Të përmirësojmë situatat që të mos ndëshkohemi me gol dhe të jemi sa më të qartë në rastet para portës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb