Nga: EDUARD SELAMI*
Është shumë e lehtë që të jesh shqiptar dhe amerikan dhe nuk ka absolutisht asnjë lloj vështirësie. Unë jam krenar që jam amerikan, por kam lindur shqiptar dhe jam krenar që jam shqiptar. Po e filloj duke marrë shkas nga shqipja shumë e fortë e zotit ambasador, që duhet ta uroj që më kujtoi edhe mikun tonë të përbashkët, mikun e të gjithëve ne këtu në panel, zotin Ryerson. Por edhe të të gjithëve të pranishmëve këtu, mikun e të gjithë shqiptarëve, i cili është ambasadori i parë pas kësaj ndërprerjeje të madhe dhe jo vetëm flet shqip, por unë i them që është shqiptari më pro amerikan që unë njoh, sepse çdo ditë në shtëpinë e tij të bukur, në rrethinat e Washington DC, në traditën më të mirë të një patrioti të vërtetë amerikan, ai e fillon ditën duke ngritur flamurin amerikan në shtëpinë e tij. Një traditë që e kanë shumë vetë, jo vetëm ata që kanë shërbyer në Ushtri dhe në Shërbimin e Jashtëm amerikan, por ka një patriotizëm të gjendur, por ngre dhe flamurin tjetër shqiptar në shtëpinë e tij. Kështu që, të dy flamujt valojnë në shtëpinë e Ryerson këtu e 20 vjet që unë e njoh. Edhe në ato përpjekje ku unë mundohesha ta shmangia, se isha amerikanizuar aq shumë, sa ma kthente shakanë dhe më thoshte që, “ti je amerikani më pro shqiptar që njoh”. Ai më sillte gjithmonë me ato ngjarjet e Shqipërisë, më mbante në kontakt dhe, po, është një nga arsyet që ka ndikuar tek unë që jam kthyer dhe jam krenar që jam këtu.
E kam thënë disa herë dhe prapë e gjykoj, që është fat për Shqipërinë që ka këto marrëdhënie speciale me Amerikën, bile unë shkoj edhe më tej. Do të ishte e pamundur për Shqipërinë që të qëndronte në kursin e lirisë dhe demokracisë pa mbështetjen dhe ndihmën amerikane. Unë e them këtë gjë me bindje. E kam parë edhe në ato gjëra që janë thënë në publik, por e kam parë edhe në ato gjëra që nuk janë thënë gjithmonë në publik. Jam dëshmitar edhe i atyre ngjarjeve tragjike të ‘97-ës, për ato përpjekje titanike që kanë bërë partnerët tanë amerikanë për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e demokracisë, në rrugën e lirisë dhe për t’i shmangur këto. Është një marrëdhënie dhe një miqësi speciale e cila e ka mbajtur Shqipërinë në këtë linjë. Është një garanci për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ky është fakt! Shumë nga ata ambasadorë që vijnë këtu, janë nga ambasadorët dhe shërbyesit më të mirë të shtetit amerikan, patriotë të vërtetë amerikanë, por përfundojnë në mënyrë simbolike si miku ynë i përbashkët Ryerson. Marrin gjithçka me Shqipërinë dhe e bëjnë këtë gjë me zemër.
I pari në këtë gjë ishte zoti Baker që ju e patë në video. Aty filloi dhe u hapën jo vetëm dyert, por edhe zemrat e amerikanëve për Shqipërinë. Chris Hill është ai që ka qenë zëvendësi, më vonë u bë një nga negociatorët kryesorë të paqes së rajonit. Një nga diplomatët më të mirë amerikanë tashmë në pension, por asnjëherë në pension kur je në diplomacinë amerikane. Ka shkruar dhe një libër të fundit ku e përmend, dhe unë e mbaj mend atëherë që në Hotel Dajti bashkë me Chris, shikonim si do të shkonte edhe shqetësimi që ishte, a do të kishte njerëz. I thashë, “Chris, vetëm për atë mos u shqetëso, atë na e lër neve” dhe pastaj gjithçka është histori, ju shikoni se sa e prekshme ishte për Baker. Dhe që atëherë, marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Amerikës është kthyer në një marrëdhënie speciale. Sa e lehtë, aq e vështirë dhe për ambasadorët, sepse ishte marrëdhënie edhe me zemër dhe këto marrëdhënie nganjëherë janë mjaft të vështira.
Për mendimin tim personal, nuk është shfrytëzuar sa duhet. Ka shumë fjalë në politikë për pro amerikanizëm por pak veprime pro amerikane. S’mund të jesh edhe pro amerikan edhe të jesh i korruptuar. Kaq e thjeshtë është! S’mund të jesh edhe pro amerikan edhe të thyesh ligjin. Kaq e thjeshtë është! Kështu që, në këtë aspekt…, we have a long way to go…. Edhe në këtë duhet shumë punë.
Unë jam mjaft besimplotë që Shqipëria do të ecë më shpejt edhe në integrimin e saj europian për shkak të mbështetjes që i jep Amerika. Po, më dëgjuat drejt! Interesi parësor amerikan është që Shqipëria të integrohet shpejt në Europë. Nuk ka kontradiktë, përkundrazi! Sepse është një klub vlerash të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit njerëzor, të respektit për pronën private, të respektit për të drejtat e njeriut, të respektit për shtetin dhe për ligjin. Kjo është Amerika në themel. Kjo është Europa. Kjo është ajo çka ne duhet të bëjmë. Të tjerat janë fjalë. Në këtë pikë, jo vetëm që s’ka asnjë kontradiktë, por prezenca dhe forcimi i Amerikës është një diçka e domosdoshme.
Në takimet që unë kam ndonjëherë dhe me studentët, – ma kujtoi edhe Editi, por s’kam hequr dorë nga zakoni i vjetër, akoma jam në kontakt me Akademinë, – shpeshherë më thonë: Çfarë do të bëjë Amerika për ne? Sa më gëzon kjo gjë, aq edhe më shqetëson. Më gëzon, se e shohin Amerikën si shpresë dhe dua ta shohin si shpresë. Është mbrojtësi më i madh i lirisë dhe i paqes botërore, pa diskutim. Sa më shumë e njeh, aq më shumë e respekton për këtë. Për mendimin tim personal, është një eksperiment i suksesshëm i njerëzimit, i bazuar mbi lirinë, i bazuar mbi dinjitetin njerëzor, i bazuar mbi vlerat demokratike. Është një sistem ku demokracia është në themel, ku qytetari është themel, ku gjithçka jetohet në këtë mënyrë. Nuk është e përsosur, por është qartësisht demokratike, qartësisht e ndërtuar mbi këto vlerat më të mira që ka ofruar njerëzimi. Dhe në këtë pikë nuk ka kompromis. Edhe diplomatët amerikanë që vijnë këtu, edhe liderët amerikanë pasqyrojnë pikërisht këtë gjë, prandaj edhe thurja është kaq e natyrshme me Shqipërinë. Por edhe kaq kokëfortë, prandaj shpeshherë politikanët shqiptarë, të cilët mendojnë që mund të manovrojnë në këto lloj gjërash, gjejnë një mur të madh, se nuk ka kompromis në Amerikë kur gjërat shkojnë ndesh me parimet e lirisë, të demokracisë, të shtetit ligjor, të paqes dhe të prosperitetit rajonal.
Në këtë pikë ne si shqiptarë, – kthehem prapë te studenti, – duhet të bëjmë diçka më shumë, se nuk ka gjë më amerikane dhe forca e Amerikës nuk është thjesht në Kushtetutë vetëm, nuk është thjesht në shtetin ligjor vetëm, por është në radhë të parë në qytetarin amerikan. Ai e di që Amerika është e fortë se e mbron qytetari amerikan. Edhe ne në këtë pikë duhet ta ndërrojmë konceptin dhe, nëse vërtet duhet të jemi pro amerikanë, duhet të jemi qytetarë të angazhuar, ta marrim ne në dorë në Shqipëri, çështjen e demokracisë, çështjen e shtetit ligjor, çështjen e progresit.

* Fjala në konferencën “24 vjet partneritet strategjik. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ndër vite”, organizuar nga “Albanian Policy Center”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: