Skema mashtrimi që qarkullojnë në internet, ku persona që fshihen pas një tastiere dhe monitori dërgojnë njoftime se “keni fituar qindra mijëra euro”. Lajmërimet janë në rrjete sociale, në e-mail, por edhe në whatsapp.

Denoncimi i parë i “Fiks Fare” ishte në datën 20 janar 2021, ku një e moshuar nga Mamurrasi kishte paguar një shumë pasi ishte “fituese”. “Po vdes, dua të dhuroj 985.000 euro, familja nga Mamurrasi mashtrohet duke paguar disbursim 370 euro! ‘Dua të dhuroj 985.000 euro. Emri im është zonjë Viviane. Unë nuk mund të jetoj gjatë në këtë tokë. Kam humbur burrin dhe nënën në aksident. Unë dëshiroj ta dhuroj këtë shumë për të gjithë ata që kanë nevojë’” ishte denoncimi i “Fiks Fare”.

Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë, një tjetër i moshuar nga Vlora, ka rënë pre e një skeme të ngjashme mashtrimi. Denoncimi I “Fiks Fare” është bërë në datën 28 qershor 2022. “Kamber Dervishaj ka paguar plot 20 mijë euro, pasi persona të ndryshëm e kanë kontaktuar në rrjete sociale me qëllim për t’i dhuruar një shumë prej 720 mijë eurosh. Personat që qëndronin pas kompjuterit apo pas telefonit hiqeshin si një qytetare franceze, e cila pretendonte se ishte në ditët e fundit të jetës dhe donte të dhuronte këtë shumë prej 720 mijë eurosh” ishte denoncimi i dytë.
Por, nuk mbarojnë këtu. Pasi një tjetër person, kësaj herë nga Librazhdi ishte gati për t’u dërguar këtyre personave një shumë. Denoncimi I këtij rasti ishte në datën 2 nëntor 2022. “Një 75-vjeçar nga Librazhdi u ankua në redaksinë e “Fiks Fare” se disa persona e kanë kontaktuar në rrjete sociale se “kishte fituar 5 milionë euro”. Megjithëse, i moshuari s’kishte marrë pjesë në ndonjë lotari! I moshuari tregoi për kamerën e “Fiks Fare” se dikush i ka shkruar në rrjetin ‘Whatsapp” se kishte fituar 5 milionë euro në një lotari. Por, për disbursimin e kësaj shume, ai duhet të paguante 170 euro komision. “Fiks Fare” kontrolloi për numrin e telefonit, i cili rezultonte se ishte në shtetin e Beninit, Afrikë” thuhej në denoncim.

“Fiks Fare” ka biseduar me ekspertin Tomi Kallanxhi, i cili pohoi se “nuk mund të ngrihesh një ditë dhe të bëhesh i pasur pa punuar”. Ai apelon të gjithë që të kenë kujdes, mos të paguajnë njërës me emra të dyshimtë, apo edhe në vende të Afrikës. Më tej shton se janë disa skema, si rasti konkret, i cili është tipik mashtrimi, apo edhe me Whatsapp, Facebook e Instagram.

Por, pa kaluar shumë kohë nga këto denoncime, në redaksinë e “Fiks Fare” mbërriti një tjetër denoncim i rëndë. Një 29 vjeçare ka rënë pre e këtij mashtrimi, pasi ka paguar plot 30 herë nëpërmjet pikave të transfertave të parave persona të panjohur.

Ajo rrëfen se ka parë një njoftim në “Tik Tok” se një person donte të dhuronte pasurinë, “pasi ishte sëmurë dhe se po vdiste”. Shuma në fillim ka qenë rreth 800 mijë euro. Personat nga ana tjetër i kërkonin të resë pagesa për disbursimin e shumës.

“Më kontaktonin në gjuhën shqipe. Njëherë zonja. Por, më pas ajo vdiq dhe më kanë dërguar disa video. Më pas një avokat dhe një përfaqësues I një banke. Kam folur në Whatasapp. Më udhëzonin dhe më jepnin emra ku duhet të dërgoja paratë. Më dërgonin emra të ndryshëm. Më pas më thanë se shuma nga 800 mijë euro ka shkuar në 1.2 milionë euro. Por për disbursime, dogana, karta, testament më kërkonin vazhdimisht t’u dërgoja para. U kam dërguar nga 800, 900, 1000 apo shumë të ndryshme” thotë ajo.

Nga verifikimi i “Fiks Fare” rezulton se e reja ka dërguar plot 30 herë në drejtim të personave të ndryshëm sasi të ndryshme parash. Shuma në total nga kalkulimet është rreth 24 mijë euro. Por, personat nuk mjaftohen me kaq, pasi kërkojnë edhe shuma të tjera për të nxjerrë kartën, për ta dërguar./TCH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb