Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka nisur mëngjesin e sotëm me një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Kryemadhi tha se po nxitet largimi i të rinjve nga vendi.

Sipas saj, mungesa e shpresës është arsye që të rinjtë po largohen jashtë vendit.

“Votuesit për herë të parë janë një nga pikat kryesore dhe faktikisht kanë qenë dhe një nga pikat më mbështetëse të LSI. Ju jeni personat kryesor të votuesve për herë të parë që punojnë në grupin e Tiranës dhe ndërkohë janë dhe shumë djem dhe vajza të tjerë që janë në këtë trajnim dy ditor të LRI. Një nga pikat kryesore jo vetëm për evidentimin e tyre dhe angazhimin e tyre që në 25 prill të shkojnë të votojnë sepse 98 ditë janë ato që na ndajnë nga 25 prilli. Pra ka filluar countdowni të pakësojë ditët. Ajo qe është shumë e rëndësishme është dhe përfshirja e tyre, ngritja e problematikave, hartimi i disa planeve pune jo vetëm nga ana e maturantëve dhe studentëve por dhe për të krijuar një strategji përsa i përket punësimit dhe konkurrencën në tregun e punës. Një nga problemet kryesore që ka sot rinia shqiptare. Ajo që kemi diskutuar dhe me Floidën në shumicën e rasteve LRI ka qenë jo vetëm hartuese e politikave të LSI por dhe vendimmarrëse jo vetëm në përfshirjen e strukturave drejtuese por dhe në hartimin politikave.

Ne një nga pikat kryesore kemi arsimin. Sepse arsimin nuk e shikojmë si shpenzim, e shikojmë si investim. Jo vetëm ligjin e arsimit të lartë, jo vetëm maturën shtetërore por gjithë ndërtimi i sistemit arsimor për LSI është shumë i rëndësishëm. Një sistem arsimor i cili krijon hapësira jo vetëm për nxënësit dhe studentët cilësorë por krijon dhe një hapësirë të jashtëzakonshme përsa i përket punësimit të mirëpaguar. Po kështu kemi vendosur në program strategjinë Mëso dhe Fito që ju jeni jo vetëm kërkuesit dhe propozuesit kryesor por jeni dhe përfituesit kryesor. Kështu që ne duhet të mos ndalojmë. Këtë eksperiencë tuajën përsa i përket votuesve përherë të parë, evidentimin e tyre, kontaktin e tyre, ta shtrijmë në të gjithë Tiranën por dhe në të gjitha e tjera siç janë Elbasani, Durrësi, Korça, Vlora ku faktikisht dhe ju me pikat e kontaktit që keni do të fillojmë drejt përfundimit dhe evidentimit të tyre. Ne çdo ditë duhet të punojmë me njerëzit, çdo ditë të punojmë nga 10 minuta, me një shok, komshi, që t’ i motivojmë, t’i çojmë e sidomos votuesit për herë të parë, sepse janë një element i jashtëzakonshëm. Vetë strategjia që po përdoret është strategjia për të larguar të rinjtë nga Shqipëria. Ajo që unë shikoj tek kryeministri në ikje është se ai thotë, duroni ju se s’keni çfarë bëni. Kush nuk duron të ikë nga Shqipëria. Ky është vendi i Shqiptarëve. Nuk është vendi i Ramës, Monikës, Lulit. Shqipëria është vendi i shqiptarëve. Në këtë drejtim ai përveç se gjen guximin se ka varfëruar shqiptarët, ka rritur taksat, ka krijuar kriza njëra pas tjetrës, tani merr guximin e thotë, duroni kush durojë dhe ikni ata që nuk durojnë. Nuk mund ta lejojmë një njeri të tillë që të marri peng të ardhmen tuaj.

Në radhë të parë jeni ju, që nuk duhet ta lejoni. Më pas jemi ne, prindërit, që jemi pjesë e këtij segmenti, strukture njerëzore. Nuk mund të thuash të partive politike, sepse partitë politike bëjnë programet e tyre që kanë të bëjnë me evidentimet e problematikave që kanë të bëjnë me institucionet. Sot çështja e shpopullimit, mungesa e shpresës. Blerta ka hyrë në shkollë në infermieri, për të ikur në Gjermani. Kjo është absurditeti më i madh që kemi në mentalitete tona. Ne duhet të krijojmë hapësira pafundësisht, turizëm mësimor, turizëm shëndetësor. Sot është dita më e ftohtë e dimrit dhe ke qejf të dalësh, për diellin, detin. Janë disa elementë që duhet ti kthejmë në pozitivitet. Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë në momente të caktuara ka qenë një hall i madh, por ne duhet ta kthejmë në një avantazh jo vetëm ekonomik, por edhe përfshirje.”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb