Procesi i Partisë Socialiste për zgjedhjen e 61 kryetarëve të PS në gjitha bashkitë e vendit nisi nga Shkodra.

Sekretari organizativ i PS Blendi Klosi, zhvilloi një takim me asamblenë e PS Shkodër ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, sekretarja për burimet njerëzore në PS Anila Denaj, deputeti Etjan Xhafaj, drejtuesja politike e PS Shkodër Edona Bilali dhe përfaqësues të tjerë.

Pas kësaj mbledhje, Blendi Klosi bëri të ditur se procesi për përzgjedhjen e kryetarëve të PS në 61 bashkitë do të përfundojë në fund të muajit qershor dhe deri atëherë pas përzgjedhjes së kandidatëve do të ketë një fushatë të hapur dhe publike dhe më pas do jenë asambleja dhe një komitet drejtues nga qendra që do përzgjedhin fituesit, pra nuk do të ketë një votim nga anëtarësia.

I vetmi kriter që përjashton kandidatët është nëse nuk plotëson dekriminalizimin.

Ky proces tha Klosi bëhet që PS të shpallet fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale që do jenë pas një viti.

Ndërkohë edhe drejtuesja politike e PS Shkodër Edona Bilali tha se do të kërkohet që kandidatët të jenë modelet më të mira në PS dhe jo si anasjelltas duke iu referuar kryetarëve të partive të PD.

Si do bëhet ky proces?

Klosi: Nisëm sot një proces nga Shkodra që do të vijojë në 61 bashkitë e vendit për të përzgjedhur kryetarët e partive, një proces që nuk do të jetë një ditë votimi por do të jetë për dy muaj një fushatë  dhe deri në fund të muajit qershor do të duhet të zgjedhim të gjithë kryetarët e 61 bashkive të vendit të cilët duhet që të kenë një kriter të vetëm, të jenë përfaqësues të komuniteteve, të jenë përfaqësues publik të PS në komunitet, të jenë djem dhe vajza që përfaqësojnë vlerat më të mira të PS. Procesi është i hapur dhe kërkon konkurrim publik të njerëzve të cilët mbartin vlerat e të majtës, një proces i cili nuk ngurtësohet në raportet e votave vetëm të anëtarësisë të PS por duam që në këtë garë të fitojë më i mirë. Mbi të gjithë atyre që kanë aftësinë, mençurinë, pjekurinë por edhe dëshirën e tyre politike për të drejtuar një garë shumë të fortë të PS që është gara e pushtetit lokal në pranverën e  vitit tjetër. Pra qartazi PS futet në organizimin e saj të brendshëm për të përgatitur strukturën e saj dhe më pas raportin me komunitetin për të fituar 61 bashkitë e vendit. Jo më kot e kemi filluar këtë proces nga Shkodra duke i dhënë shumë hapësirë dhe mbështetje kandidatëve që do të garojnë në të gjitha bashkitë e qarkut Shkodër dhe pastaj në gjithë Shqipërinë për të enë përsëri fitues në garën e ardhshme elektorale”.

Si do ta zbusni PS Shkodër sepse ka shumë probleme?

Klosi: PS Shkodër është një parti me shumë tradita, me vlera dhe përgatitur beteja të vërteta elektorale por pa dyshim është një parti që jeton me problematikat e saj dhe PS fiton garat elektorale sepse arrin të përgatitet në kohë, punon për organizimin e saj dhe kjo mbledhja e sotme me asamblenë e zgjeruar të qarkut padyshim që i njeh të gjitha problematikat por kërkon që gara e ardhshme e PS të mos jenë si garat e tjerat që krijon konflikte por duam shumë që me këtë proces dy mujor të zbusim të gjitha problematikat e strukturave tona, të hapim partinë për të garuar kushdo që mendon se mund ta përfaqësojë denjësisht PS në komunitetin shkodran dhe besoj sepse kemi dëshmuar se kemi shumë vlera edhe në PS-të e 61 bashkive për të garuar dhe për të fituar.

A është e treguar e paaftë ose e dobët PS Shkodër sepse në zgjedhjet e 6 marsit edhe pse me një PD të përçarë, demokratët arritën të mbajnë bashkinë Shkodër dhe PS humbi sërish?

Klosi: Mos harroni që PS në garat e fundit elektorale ka fituar në gjithë Shqipërinë. Ne arritëm në 25 prill të vitit të kaluar fitoren e mandatit të tretë të PS dhe deputetët e zgjedhur nga Shkodra dhe e gjithë Shqipëria i japin mbështetje të madhe kryeministrit Rama për të qeverisur vendin. Pra PS edhe në garën e ardhme elektorale do jetë fituese ashtu siç ishte edhe më 6 mars. Me të vërtetë humbëm Shkodrën por fituam gjitha të tjerat. A është kriter që të mos shpallen kryetar të PS ata që kanë qenë më përpara dhe nuk kanë dhënë rezultate dhe dekriminalizimi a ekziston si filtër në këtë proces?

Po, në udhëzimin e përgatitur nga kryesia e PS dhe të printuar tashmë mbas vendimit të Asamblesë së PS në librin tonë të rregullave një nga pikat kryesore është procesi i dekriminalizimit dhe i qenies 100% korrekt me ligjet përkatëse. I vetmi kriter që përjashton këdo që të kandidojë është pamundësia e kandidatit për t’u ballafaquar me publikun dhe paaftësia e kandidatit për të pasur mundësinë e një debati publik. Pra 61 kryetarët e PS nuk duam që të kenë asnjë kriter përveçse të përfaqësojnë vlerat më të mira të PS.  Me çfarë metode do të votohet ose do të zgjidhen kryetarët e PS?

Do jetë ky proces dy mujor që do kërkojmë sa më shumë elementë dhe pastaj do ketë një ballafaqim mes kandidatëve. Procesi final, do jetë një proces i hapur përballë asamblesë së PS ku kandidatët do të paraqesin platformat dhe do të vlerësohen nga asambleja e PS.

PS Shkodër ka shfaqur pakënaqësi për punësimet dhe po ashtu zhvendosjes së disa drejtorive në Lezhë dhe sa është në borxh PS me Shkodrën sepse në qeverisjen tuaj janë larguar 6 drejtori të rëndësishme. A është ky një persekutim i PS ndaj Shkodrës? PS vazhdon të jetë e suksesshme në garat elektorale sepse ne gjithmonë nuk kemi shikuar nëse votohet majtas apo djathtas. Shkodra ashtu si e gjithë Shqipëria ka marrë mbështetje të plotë nga kryeministri Rama dhe nga qeveria e PS me investimet publike, me reformat që kemi marrë në gjithë Shqipërinë dhe nuk kemi parë se si kanë votuar, majtas apo djathtas. Natyrisht që është një garë elektorale dhe njerëzit gjykojnë programet, lidershipin dhe kandidatët prandaj e them që ne si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër garojnë dhe duam ta fitojmë edhe këtë bashki pas një viti në zgjedhjet lokale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: