TIRANË – Deputeti socialist Tom Doshi është i pari që kërkon ndryshime në kabinetin qeveritar. Nga Kryesia e Kuvendit ai ka pohuar deklaratat e bera dje në mbledhjen e grupit të PS-së dhe ka ritheksuar sot për mediat se “baza është lënë pas dore e ka ardhur koha për ndryshime në Qeveri, pasi shumë ministra janë konsumuar.”

Për “shpërthimin” e tij të djeshëm në mbledhjen e grupit, ai dha edhe argumentat: “Ajo ka qënë mbledhje grupi, brenda familjes sonë të madhe socialiste. Kolegët e mi, që ia kanë dhënë mediave, kanë bërë gabim. Por, unë s’kam ndonjë ankim për vete. Unë çdo gjë e lidh me ankimet që ka baza, me shqetësimet. Komunikimin e kam shumë të mirë edhe me ministrat, por shqetësimet janë në bazë. Baza është lënë pas dore. Për ndryshime dihet që ka ardhur koha, shumë ministra janë konsumuar. Por, nuk ka ardhur koha ende për t’i bërë publikë,”- nënvizoi ai.

Dje, gjatë mbledhjes së grupit të drejtuar nga Ruçi, mësohet se Doshi i ka kërkuar “të ulemi e të diskutojmë ndarjen e zonave, që ajo të mos vendoset vetëm nga Kryeministri.” Ai ka kërkuar edhe thirrjen e një takimi me kryeministrin për të folur për ministrat pa performancë.

“Ministrat nuk i hapin telefonin deputetëve. Deputetët përdoren vetëm për fushatë elektorale. Të kërkohet largimi i ministrave që nuk kanë performancë të mirë,” ka deklaruar ai. Përveç ministrave, Doshi ka akuzuar ashpër edhe Drejtoreshën e Doganave, Elisa Spiropalin dhe atë të Tatimeve, Brisida Shehajn.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: