Në kampin “Al Hol” të Sirisë, që kontrollohet nga forcat kurde, vazhdon të jetojë një grup grash dhe femijësh, familjare të xhihadistëve shqiptarë të ISIS, të cilët nuk janë kthyer ende në vendin e tyre të origjinës.

Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, Agron Sojati, duke folur për emisionin Diplomaticus te gazetarit Erion Kaçorri, shprehet se Shqipëria është në kontakt me të gjithë grupin e koalicionit në lidhje me këtë çështje.

“Shkëmbehen të dhënat e nevojshme nga burimet zyrtare të mirëpërcaktuara, sepse kur kemi parasysh që gra dhe fëmijë kërkojnë të kthehen, ne ligjërisht nuk kemi krijuar pengesa artificiale, por marrja e iniciativave kërkon në radhe të parë sigurinë karshi qytetarëve. Kemi parasysh që ka individë që jo thjesht janë ekspozuar, por edhe kanë marrë pjesë në grupe terroriste si ISIS dhe të gjithë ata trajtohen me shumë sensitivitet”, deklaron Sojati për News 24.

Image1
Image1

I pyetur nga gazetari nëse vërtet ka interes nga shteti shqiptar që këta persona të kthehen në vendin e tyre, Sojati deklaron se është e thjeshtë të përgjigjesh me po ose jo, megjithatë ka sensitivitet në raport me gratë dhe fëmijët.

“Gjithsesi çdo shqiptar kudo që të jetë, në çdo fazë të jetës qoftë në shkelje ose jo të ligjit janë strukturat e tjera që e ndajnë raportin që ata duhet të kenë me lirinë. Qeveria është absolutisht pro aktive edhe me komunitetin edhe me vetë familjarët, por edhe me forcat e koalicionit, ndërsa pjesa tjetër pastaj do të jetë një procedure transparente, standarte e institucioneve dhe autoriteteve që merren me hetimin dhe certifikimin ose jo të statusit që duhet të kenë ata pasi të kthehen në Shqipëri”, shprehet ai.

I pyetur në lidhje me atë se çfarë po bëhet nga shteti shqiptar për deradikalizimin e ish-luftëtarëve shqiptarë të ISIS, Sojati duke iu referuar edhe strategjisë kombëtare dhe planit kombëtar të veprimit thekson se kemi kapacitete të krijuara në fushën e edukimit, në fushën e mbrojtjes sociale dhe trajtimit psikologjik, në sistemin e burgjeve dhe shërbimit të provës.

“Në të gjitha institucionet jo thjesht janë bërë procedura standarte sesi veprohet, por ka një koordinim nga qendra në komunitete në nivel lokal dhe ka ndërhyrje duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe vetë komunitetin për të qartësuar në radhë të parë edhe faktorët qe i shtyjnë këta individë për të parë sesa vulnerabël janë komunitetet dhe individët tanë dhe besoj që sot jo vetëm që jemi të qartë, por nëse do kishim mundësinë që të kthenim kohën mbrapa shifrat do të ishin absolutisht në favor të zgjidhjes normale, ku mbase nuk do të kishin pasur asnjë person që të largohej”, thekson më tej Sojati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb