TIRANË

Gazetari i njohur, Sokol Balla, komentoi në nisje të emisionit të tij “Real Story”, në News24, fitoren e Albin Kurtit në Kosovë, ku sqaroi arsyet pse nuk e sheh veten në filozofinë e partisë që ai drejton, Vetëvendosja.

Balla tha se qeveria është problemi, por Albin Kurti shpesh ofron ide se si të zmadhohet ky problem, dhe jo si të zvogëlohet. Për gazetarin e njohur, Albin Kurti nuk ofron diçka të re për Shqipërinë, ndërsa sqaroi sipas tij, edhe ku ndryshon ai nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama.

“Mbrëmë e quajta “Cunami Kurti” editorialin tim të emisionit, ndërsa ishte botuar shumë si shkrim dhe disa e kishin kuptuar keq atë që unë shkruaja. Që të sqarohemi, unë nuk e shoh veten në filozofinë e Vetëvendosjes. Unë mendoj që qeveria është problemi, por Albin Kurti shpesh ofron ide se si problemi të zmadhohet. Mua më pëlqen një shoqëri liberale dhe tolerante dhe jo një ‘geto’ në mes të Evropës. Mua më pëlqen një vend ku emri i kryeministrit të mos jetë i kudogjendshëm, por mundësisht i harrueshëm. Albin Kurti ofron krejt të kundërtën.

Në këtë sens, Albin Kurti nuk ofron diçka të re për Shqipërinë, e cila dominohet në këtë tranzicion nga liderë të fortë, danoç vengeroshe si Sali Berisha, dema të tërbuar si Ilir Meta, apo çuna të sofistikuar Tirone, që shpesh parapëlqejnë veshjet e bukura, ironinë me provincialët, siç është Edi Rama. Por aty ku ndryshon Albin Kurti nga këto tre emra, është se ai nuk mendon se çfarë është më mirë për të, është edhe për vendin, nuk mendon se do apo di të vjedhë, dhe në krahasimin e tretë, ai dëgjon shumë më tepër se sa Rama, jo ne, por njerëzit. A do të kemi ne në Shqipëri lider politik që dëgjon më shumë se sa njerëzit?”, tha Balla në sqarimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb