Ndalimi dje i dhunshëm i Alfred Lelës ishte gabim. Dhuna e ushtruar jo ndaj gazetarit por ndaj qytetarit Alfred Lela ishte prapë gabim bile gabim i ndëshkueshëm. Policia nuk mund të luajë me fjalë dhe të thotë se Alfred Lela nuk kishte badge me vete. As unë nuk mbaj badge me vete.

Unë mbaj gjithmonë me vete kartën e identitetit që të jem në rregull me shtetin por si njeri publik unë nuk kam nevojë për badge. Kam profilin tim publik që dikush e pëlqen dhe dikush jo. Meqë ra fjala jam ndoshta nga gazetarët më të sulmuar në vend, jo nga njerëzit e thjeshtë por nga kryeministra, presidentë, kryetarë partish, nga grupe të errëta interesash politike, ekonomike, gjeopolitike, mediatike, që nuk pëlqejnë idetë e mia apo atë që ata mendojnë se unë përfaqësoj. Jam njëkohësisht ndër më të pambrojturit pasi nuk kam parë të më dalë njeri në krahë kur jam sulmuar.

Vjet dy herë dhe një nga rastet sulmuesi që ishte kryetari i shtetit përmendi dhe fëmijët e mi. Por kjo nuk më ka penguar kurrë të mbroj kolegët e mi, edhe ata që më kanë sulmuar pasi mendoj se kështu mbroj profesionin dhe jo personin. Policia duhet t’i kërkojë së paku ndjesë Alfred Lelës, nëse jo si gazetar, së paku si qytetar. Më së shumti duhet të nisë hetimet ndaj oficerëve, policëve që u përfshinë në atë incident.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb