SHBA

Iraniano-amerikanët u mblodhën në Uashington dhe Los Anxheles për të kujtuar viktimat e avionit ukrainas të rrëzuar nga Irani dhe për të mbështetur protestuesit paqësorë që u vranë nga forcat iraniane të sigurisë.

Një grup iraniano-amerikanësh u mblodhën në sheshin Freedom Plaza të Uashingtonit të dielën mbrëma për të kujtuar njerëzit e pafajshëm të vrarë javët e fundit në Iran, përfshirë 176 pasagjerët e avionit ukrainas dhe më shumë se 1.000 iranianët e vrarë në protestat e shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit në nëntor. Marrja e përgjegjësisë nga Teherani për rrëzimin e avionit ukrainas ka nxitur ndjenjat antiqeveritare, i thanë Zërit të Amerikës disa protestues.

“Njerëzit nuk e duan qeverinë iraniane. Dhe [Gjenerali iranian] Qassem Soleimani ishte një terrorist”, tha Lilly, një protestuese iraniano-amerikane.
“Nëse proteston në rrugët (e Iranit), mund të burgosesh ose të vritesh. Këta njerëz janë kaq të guximshëm”, thotë Monir, një protestuese iraniano-amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetjen e tij për protestuesit iranianë të shtunën, duke bërë postime në Tëitter edhe në gjuhën farsi. Disa protestues iraniano-amerikanë e falenderuan Presidentin për mbështetjen e tij.
“Ka shumë shpresë tani. E them këtë sepse njerëzit mund ta kuptojnë tani se presidenti i Amerikës, vendit me demokratik në botë, është me ne, kështu që ata janë plot shpresë”, thotë Shekoofeh, një protestuese iraniano-amerikane.
“Është mirë që ai postoi në Tëitter mesazhe në gjuhën farsi dhe në anglisht, por ne dëshirojmë t’i themi atij se nuk duam luftë!”, thotë Faramarz Zafi, një protestues iraniano-amerikan.
Një turmë tjetër u mblodh në Los Anxheles të dielën, shumë prej tyre duke brohoritur kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Iran. Një student i filmit i tha Zërit të Amerikës se ai kishte biseduar me familjen në Iran një natë më parë, dhe ata po planifikonin të rrezikonin jetën për të protestuar kundër qeverisë së Teheranit.
“Mendoj se është e rëndësishme ta kuptoni se njerëzit në Iran e dinë se çfarë duan. Populli në Iran po lufton për lirinë e tij dhe ne nuk kemi nevojë për asnjë shpëtimtar. Shtetet e Bashkuara nuk kujdesen për ne” thotë studenti iranian Hamoun Dolatshahi.
Videot e publikuara në internet tregonin protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera iraniane të shtunën dhe të dielën, duke brohoritur parulla antiqeveritare.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb