Një nga stuhitë më të rënda ciklonike ka goditur Somalinë e Bririt të Afrikës, si rezultat i të cilës kanë humbur jetën tetë peshkatarë dhe janë shkatërruar shumë rrugë, shtëpi, anije të peshkimit, direkë të komunikimit dhe linja të energjisë.

Cikloni “Gati”, i cili solli shira të dendur me erëra të forta mbi mesataren, kryesisht preku rajonet Bosaso dhe Hafun në shtetin verilindor Puntland.

Komisioneri i rrethit Hafun, Mohamed Yusuf Garow, konfirmoi vdekjet për mediat lokale, duke theksuar se, “Rrugët, linjat elektrike dhe shtëpitë janë shkatërruar. Shirat janë pakësuar, por pritet të rriten gjatë mbrëmjes”.

Duke u bërë thirrje peshkatarëve që të mos dalin në det, ai tha se pavarësisht se cikloni është dobësuar, deti mbetet i ashpër për shkak të erërave të forta.

Përmbytjet dhe hipotermia ekstreme po ashtu kanë vrarë një numër të paidentifikuar bagëtish. Bosaso është i famshëm për portet e tij nga ku bagëtia eksportohet në tregjet e vendeve të Gjirit. Shumë fermerë kullosin kafshët e tyre në rajon në pritje të eksportit që zgjat me javë ose edhe me muaj.

Po ashtu edhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) sot njoftoi se shira të mëdha, që tejkalojnë shumat e pritshme totale vjetore, në një ditë të vetme goditën disa zona, përfshirë në Bosaso, Balidhidin, Iskushuban dhe Caluula.

Ekspertët thanë se reshjet e shiut që do të përjetohen në rajonin e Bririt të Afrikës gjatë periudhës së ciklonit arrijnë në mesataren e plotë që regjistrojnë meteorologët në të njëjtin rajon në një periudhë të tërë dy-vjeçare të shiut.

Aktivitetet e peshkimit, transporti dhe bizneset e tjera janë paralizuar në Bosaso përgjatë Gjirit të Adenit dhe qyteteve të tjera bregdetare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb