Kryeministri i Somalisë, Muhamed Hussein Roble, ka bërë të ditur se kanë dështuar bisedimet me kandidatët presidencialë të opozitës për t’i dhënë fund bllokimit të zgjedhjeve në vend.

Roble tha se qeveria ka bërë shumë lëshime gjatë bisedimeve 9-orëshe në një hotel në aeroportin ndërkombëtar Adan Adde në kryeqytetin Mogadishu.

Raundi i tretë i bisedimeve midis qeverisë dhe opozitës përfundoi pasi opozita këmbënguli të përfshihet në procesin konsultativ kombëtar për zgjedhjet.

“Në takimin tim me Unionin e Kandidatëve ne bëmë shumë lëshime, përveç plotësimit të kërkesës së tyre për t’u përfshirë në konferencat konsultative kombëtare për zgjedhjet që do të thotë rihapja e marrëveshjes zgjedhore të 17 shtatorit të vitit 2020, të cilën unë i vetëm nuk kam të drejtë ta ndryshojë”, tha Roble.

Siç tha ai, dyert e tij ende janë të hapura për dialog dhe kompromis, në mënyrë që të mund të arrihet një zgjidhje përfundimtare dhe të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.

Somalia, vend i Bririt të Afrikës, kaloi një ngërç politik pasi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare u vonuan dhe mandati kushtetues i presidentit skadoi më 8 shkurt.

Përleshjet e fundit midis forcave qeveritare dhe protestuesve të opozitës dhe rojeve të tyre të sigurisë morën jetën e të paktën katër personave, përfshirë ushtarë.

Presidenti somalez, Mohamed Abdullah Mohamed, u ka bërë thirrje udhëheqësve rajonalë që të zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund bllokimit politik.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb