Të paktën 2 njerëz u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një makine-bombë e cila shënjestroi një hotel të njohur në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Hoteli që ndodhet pranë aeroportit frekuentohet nga zyrtarë të sigurisë dhe politikanë të opozitës.

Abdulqadir Adan, kryetar i ambulancës Aamin, shërbimi më i madh i ambulancës në qytet, konfirmoi viktimat .

Abdifatah Hassan, një zyrtar i policisë, në një bisedë telefonike tha se persona me armatim të rëndë sulmuan hotelin pas shpërthimit të bombës.

Ai tha se forcat e sigurisë dhe militantët e grupit terrorist al-Shabaab po luftojnë brenda hotelit.

Mediat lokale raportuan se komandantë të lartë ushtarakë ishin brenda hotelit para se të fillonte sulmi.

“Këtë pasdite, terroristët sulmuan hotelin Afrik, që gjendet në rrugën KM4 në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Aden Adde’. Policia arriti shpejt në vendin e ngjarjes, po vazhdon operacioni i shpëtimit”, thuhet në një njoftim të shkurtër të policisë së Somalisë.

Grupi kryengritës al-Shabaab në Somali, i lidhur me al-Kaidën, mori përgjegjësinë për sulmin.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb