Numri i të vdekurve në dy sulmet e djeshme vetëvrasëse në Somalinë qendrore është rritur në 35, duke përfshirë civilë dhe ushtarë, kurse 72 të tjerë janë plagosur.

Dy sulmues vetëvrasës të grupit terrorist Al-Shabaab dje shënjestruan dy ndërtesa banimi në Mahas, qytet në rajonin Hiran të Somalisë.

Rritja e numrit të viktimave u konfirmua nga kryetari i bashkisë së qytetit, Mumin Mohamed Halane, shtëpia e të cilit ishte në shënjestër së bashku me rezidencën e deputetit federal Mahamed Abuukar Jacfar.

Halane tha se djali i tij i vogël pësoi lëndime të rënda nga sulmi dhe u transportua me helikopter në Spitalin “Somali-Türkiye Recep Tayyip Erdoğan” në kryeqytetin Mogadishu.

Në mesin e viktimave të tjera janë nëntë anëtarë të një familje të vetme, tha ai. “Kemi varrosur më shumë se 30 persona. Disa nga trupat nuk kemi mundur t’i identifikojmë”, tha Halane.

Ai tha se sulmuesit besohet se nga rajoni kufitar Galgadud kanë hyrë në qytetin Mahas, i cili shtrihet rreth 310 kilometra në veri të Mogadishut.

Mohamed Ali, një banor i qytetit Mahas, tha se ai humbi anëtarët e familjes dhe disa miq në sulm. “Dje ishte dita më e keqe e jetës sime. Shpërthimi ishte më vdekjeprurësi që kam parë ndonjëherë”, tha ai.

Al-Shabaab pretendon se ka vrarë më shumë se 80 persona, duke përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe se ka plagosur 130 të tjerë në sulmet me bomba.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës i degës së Al-Kaedës që nga fillimi i vitit dhe vjen në një kohë kur forcat somaleze, të mbështetura nga milicitë lokale, po kryejnë një ofensivë të madhe kundër grupit terrorist në rajon.

Somalia është zhytur në një pasiguri për vite me radhë, ku Al-Shabaab është një nga kërcënimet kryesore.

Grupi terrorist ka zhvilluar një fushatë vdekjeprurëse kundër qeverisë somaleze dhe forcave ndërkombëtare të paktën që nga viti 2007, duke shkaktuar vdekjen e mijëra personave.

OKB-ja ka paralajmëruar për rritje të paqëndrueshmërisë në vend, ndërsa raportet periodike të vitit të kaluar regjistruan me detaje sulmet e Al-Shabaab-it dhe grupeve terroriste pro-DEASH-it.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb