Mbi 20 pjestarë të grupit rebel al-Shabaab në Somali u vranë, ndërsa u sekuestrua një sasi e armëve pasi Ushtria Kombëtare e Somalisë (SNA) kreu një operacion ushtarak në rajonin qendror Hiran, thanë zyrtarët të shtunën, raporton Anadolu Agency (AA).

Mohamed Nuur Agajoof, kryetar i bashkisë së qytetit Jalalaqsi, tha për mediat se operacioni ushtarak u krye midis qyteteve Jalalaqsi dhe Bula Barde në rajonin Hiran, në të cilin mbetën të vrarë mbi 20 militantë të al-Shabaabit.

“Ne kemi vrarë mbi 20 anëtarë të al-Shabaab gjatë operacionit dhe kemi sekuestruar gjithashtu 18 armë dhe municion nga al-Shabaab” tha Agajoof.

“Operacioni erdhi pasi grupi sulmoi bazat tona disa herë dhe ne do të vazhdojmë operacionet ushtarake kundër grupit militant”, shtoi ai.

Operacioni vjen disa ditë pasi presidenti i shtetit Hirshabelle, Mohamed Abdi Ware, i bëri thirrje qeverisë qendrore të mbështesë administratën e tij në luftën kundër al-Shabaab.

Më 7 tetor, një operacion u zhvillua në afërsi të Abdalla Birole, që ndodhet rreth 55 kilometra nga qyteti limanor Kismayo, duke vrarë mbi 20 militantë të al-Shabaabit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb