Në Gjermani, partitë janë përfshirë nga ethet e fushatës elektorale, kurse sondazhe të shpeshta të qendrave demoskopike po testojnë dendur opinionin.
Pas rrëzimit të qeverisë franceze nga ekstremet politike në parlamentin e Francës, u shtrua pyetja se çfarë roli mund të luajnë ekstremet politike në Gjermani, në Bundestagun e ri.
Analisti i DW, Auron Dodi ka zbuluar në një komunikim me News24 se si paraqitet situata në Gjermani.
Auron, përshëndetje. Fillimisht, ç’thonë sondazhet aktuale për partitë në Gjermani?
…
A.Dodi: Sondazhet këto ditë në Gjermani janë të shpeshta. Tendencat te votuesit janë më pak të qarta se dukej menjëherë pas kolapsit të qeverisë në Berlin, në 6 nëntor.
Sondazhi më i fundit i organizatës së njohur Yougov tregon rritje të mbështetjes për dy partitë aktualisht në qeveri: socialdemokratët shtojnë tre përqind, krahasuar me mesin e nëntorit dhe arrijnë 18%. Ky është rezultati më i mirë për socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz që prej korrikut 2023. Edhe Të Gjelbrit shtojnë një pikë dhe arrijnë 13 përqind.
Ky shtim me sa duket është në kurriz të partisë opozitare konservatore CDU/CSU, që ka rënë në 30%. Dhe të liberalëve të FDP-së, që kanë rënë në 4 përqind.
Partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD mbetet edhe më tej forca e dytë politike në Gjermani: me 19%. Kurse partia populiste e majtë “Aleanca Sahra Wagenknecht” (BSW) arrin 7 përqind. Partia E Majta: 3 përqind.
…
Shtesa për socialdemokratët e kancelarit Scholz është e ndjeshme, humbëse e qartë e sondazhit është opozita CDU/CSU. Si e shpjegon këtë? A mund të flitet për një kthesë në tendencën e votuesve?
…
A.Dodi: Sondazhet demoskopike të Yougov janë nga sondazhet më serioze, që kanë rezultuar përgjithësisht të sakta. Për sondazhin u pyetën online 1879 vetë, nga 29 nëntori deri në 3 dhjetor.
Mendoj se sondazhi i fundit jep një pasqyrë reale: pasi edhe pas shpërbërjes së qeverisë në Berlin, pakënaqësia ndaj socialdemokratëve qe e kufizuar. Kurse Të Gjelbrit kanë segmentin e tyre besnik në popull. Pakënaqësia në popull qe për fërkimet publike të partive, në qeverinë në Berlin. Sidomos me liberalët e FDP-së. Edhe sipas këtij sondazhi ata pritet të mbeten jashtë Bundestagut të ardhshëm.
Po për një kthesë mund të flitej nëse opozita CDU/CSU do të binte nën 30%, kuotë që e mban prej më shumë se një viti.
Ja vlen të shohim megjithatë tendencën që është përvijuar edhe në sondazhe të tjera.
Në to, CDU/CSU është midis 31,5 deri 34 përqind; AfD midis 17 dhe 18,5 përqind; socialdemokratët midis 15 dhe 16 përqind; Të Gjelbrit midis 12 dhe 13 përqind. Kurse Aleanca Sara Wagenknecht (BSW) merr nga 4 në 7,5 përqind. FDP nga 3 deri 4,5 përqind.
…
Auron, qeveria në Assemblée nationale, në parlamentin e Francës, ra sepse u bënë bashkë dy ekstremet politike, i majtë dhe i djathtë, të cilat vetë nuk kanë një shumicë në parlamentin francez. A është e mundur kjo në Gjermani dhe a mund të nxirret ndonjë mësim nga Franca?
…
A.Dodi: Situatat në Gjermani dhe në Francë kanë dallime të konsiderueshme. Në Gjermani, pas zgjedhjeve në 23 shkurt, pritet një koalicion i qëndrueshëm qeveritar. Pavarësisht se a do të përbëhet ai nga CDU/CSU dhe nga socialdemokratët, apo nga CDU/CSU dhe Të Gjelbrit.
Kurse qeveria Barnier në Francë ishte një qeveri minoriteti, me politikanë centristë dhe konservatorë të djathtë. Ajo varej nga tolerimi, në radhë të parë prej ekstremit të djathtë të Marine Le Penit. Pasi të majtën franceze, jo vetëm ekstremin e majtë, që ndaloi në zgjedhje Le Penin të marrë pushtetin, Macroni e kishte gjithsesi kundër.
Nëse mund të mësohet diçka nga Franca në Gjermani, ai është çmimi që ka një tolerim nga ekstremi i djathtë: nuk mund të mbështetesh gjatë në të.
Dihet se gjendja në Francë u rëndua në këtë pikë, pasi presidenti Macron shpalli pa nevojë zgjedhje parlamentare në Francë, pas zgjedhjeve evropiane. Kjo e ka dobësuar Francën edhe në politikën evropiane.
Menjëherë pas rënies së qeverisë në Francë, Komisioni Evropian iu vu punës për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë BE – Amerikën e Jugut, me shtetet e Mercosurit. Kjo marrëveshje është kundërshtuar në fakt energjikisht nga Franca, sepse ajo mendon se dëmton fermerët francezë.
…
Shifrat në sondazhe në Gjermani në mbështetje të populistëve të djathtë të AfD-së dhe të majtëve të Aleancës Sahra Wagenknecht janë të konsiderueshme. A përjashtohen definitivisht aleancat e partive të tjera me këto dy parti?
…
A.Dodi: Për momentin, sidomos me partinë ultra të djathtë AfD, aleancat përjashtohen. Kjo shpjegohet edhe me vijën e deritashme programatike të AfD-së. Deri tani AfD-ja është parti monotematike: kundër migrimit dhe të huajve. Është më tej parti e deklaratave drastike. Një pjesë e AfD-së është zyrtarisht ekstremiste e djathtë. Kurse partia e Le Penit në Francë paraqitet më e moderuar.
AfD-ja e quan të papranueshëm Bashkimin Evropian si konstrukt; monedhën euro e sheh në dëm të Gjermanisë. Kurse Le Peni tani ka bërë paqe me këto tema.
Në këtë fushatë zgjedhjesh, AfD-ja po përpiqet të ofrojë bazë më të gjerë për bashkëpunim. Ka spostuar pas temën e migrimit. Dhe po përpiqet që temë qendrore të bëjë ekonominë dhe energjinë. Në ekonomi, AfD-ja kërkon që të shkurtohen paratë për të papunët. I quan para të hedhura dëm edhe investimet për klimën. Për energjinë kërkon rihapjen e centraleve bërthamore.
Por këto tema i përfaqësojnë mirë partitë e tjera në Gjermani.
…
Si është puna me partinë populiste të majtë, “Aleanca Sahra Wagenknecht”?
…
A.Dodi: Partia populiste e majtë “Aleanca Sahra Wagenknecht” (BSW) ka rënie në sondazhet kombëtare, pas rezultateve impresionuese në tri lande lindore të Gjermanisë.
Disa flasin për krizë të kësaj partie: ndoshta, sepse ajo ende nuk ka struktura kudo në Gjermani. As opinioni kombëtar gjerman nuk është identik me atë të Gjermanisë lindore: ku qëndrimet proruse janë disi më të pranueshme. “Aleanca Sahra Wagenknecht” është pozicionuar dendur si parti që kërkon paqe, me çdo çmim, në Ukrainë. Dhe kundër stacionimit të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Gjermani.
Edhe kjo parti, njësoj si AfD-ja, vuan edhe nga fakti se temat e saj po i trajtojnë parti të tjera më të mëdha, ndonëse me thekse të ndryshme.