TIRANE-Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të jetë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm. Ky është rezultati në sondazhin online të publikuar në agjencinë e lajmeve BalkanWeb, në datën 11 Shkurt. Për gati 1 javë, lexuesit kishin mundësinë të zgjidhnin opsionet nën varësinë e të cilave duhet të struktura ‘elitë’, pasi qeveria miratoi projektligjin ku përcaktohej se ky institucion do të qëndrojë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Në sondazhin online, rreth 52% e votuesve zgjodhën Prokurorin e Përgjithshëm si opsionin më të drejtë ku Byroja Hetimore duhet të funksionojë, 28% votuan Kuvendin, 15% Ministrinë e Brendshme dhe vetëm 5% mendonin që Byroja duhet të jetë nën varësinë e Kryeministrisë.

Sondazhi mori shkas pas debateve se në varësinë e kujt duhet të qëndrojë struktura hetimore e ngjashme me FBI. Sipas opozitës, një organ i tillë nuk duhet të jetë në dikasterin e ministrit Saimir Tahiri që sipas tyre është i lidhur me emra të krimit.

Kundër vendimit të Qeverisë ishte dhe Shoqata e Prokurorëve, sipas të cilëve ishte i padrejtë kalimi i Byrosë nën varësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Cfarë parashikon projektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit

në nenin 26/1 parashikohet organizimi i kësaj strukture, e cila do të jetë “një shërbim i Policisë Gjyqësore”.
Neni 26/1 – Byroja Kombëtare e Hetimit organizohet si strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit. Kjo strukturë ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit. Organizimi dhe funksionimi administrativ i Byrosë përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit. Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.
Një nen i veçantë, ai 26/2 i kushtohet emërimit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Neni 26/2 – Drejtori i Byrosë emërohet nga ministri përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Drejtori i Byrosë emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe në momentin e emërimit i jepet grada ‘drejtues i parë’. Drejtori i Byrosë kontrollon dhe është përgjegjës për funksionimin e kësaj strukture në bazë të këtij ligji. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi.

Në këtë projektligj, roli i Prokurorit të Përgjithshëm në Byro trajtohet edhe në një tjetër nen.
Neni 26/4 – Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose më shumë prokurorë të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në Byro. Prokurori i Përgjithshëm cakton prokurorin e vetëm, ose njërin prej tyre kur ka më shumë se një prokuror, që të shërbejë si drejtues i grupit të prokurorëve në Byro. Prokurorët e caktuar në Byro nga Prokurori i Përgjithshëm mund të vendosen në ambientet e Byrosë dhe mbikëqyrin të gjithë veprimtarinë proceduriale penale që kryhet nga Byroja. Prokurorët e caktuar në Byro kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet, që lidhen me cilindo hetim të Byrosë dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e Byrosë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: