TIRANE-Zërave kundër projektit për stadiumin e ri ‘Arena Kombëtare’ që pritet të ndërtohet në vend të stadiumit aktual, ‘Qemal Stafa’ i shtohen dhe një pjesë e lexuesve të lajmeve në BalkanWeb. Në një sondazh të çelur në datën 30 Prill, me temën, “Për projektin mbi stadiumin e ri ‘Arena Kombëtare’, jeni: Pro apo Kundër, 54% e votave në total ndodhen tek opsioni që e kundërshton.
Pro shprehen 46% e votuesve në sondazhin 4 ditor që mori gjithsej 1 295 vota.

Projekti për stadiumin e ri është projektuar nga arkitekti italian nga Firenze, Marco Casamonti dhe vepra sportive multifunksionale do të mbajë emrin ‘Arena Kombëtare’.

Por, projekti për stadiumin e ri hasi në kundërshtimin e Partisë Demokratike, sidomos për pjesën e kullës që duket dhe në fotot e projektit ‘Arena Kombëtare’.
Projektin e kundërshtuan dhe disa arkitektë por dhe anëtarë nga Shoqëria Civile, që sipas tyre mbi projektin nuk është kryer dëgjesë publike.

sondazhi

E megjithatë Kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë e tij për ndërtimin e Stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, përkundër kritikave të kundërshtarëve politikë dhe disa specialistëve. Duke prezantuar këtë projekt gjatë mbledhjes së KKT, zoti Rama e mbrojti atë dhe u shpreh se “kemi marrë mbështetje për projektin për stadiumin” duke shtuar se “Të gjithë njerëzit e futbollit stadiumin e duan aty ku është”.
Rama mandej foli për një koncept të ri. “Stadiumet sot nuk ndërtohen më vetëm për futboll” tha ai, duke shtuar se “Nuk ka një projekt arkitektonik të mundshëm që të ketë konsensus. Është jo e udhës që projekti i stadiumit të kundërshtohet pa e parë”, tha kryeministrin Rama.
Duke ju përgjigjur kritikëve lidhur me kullën që parashikohet të ndërtohet ai tha se “Stadiumet me kullë nuk janë shpikje e kësaj kohe dhe nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Do të isha i lumtur sikur të bënim ne të parën kullë, pavarësisht gjithë baltës dhe keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në vitet e para të shekullit të kaluar. Mjafton të shohësh “Olimpia Stadion”, stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, plot e plot stadiume të gjeneratës së fundit që kanë kullën si element” dha më shumë hollësi kryeministri Rama.
Një moment i rëndësishëm i prezantimit të projektit ishte dhe financimi. “Stadiumi sot vlerësohet 50 mln euro dhe punimet me siguri mund të kërkojnë edhe financim shtesë. Nga kush i prisni ju që të ndërtojë stadiumin?! Nga qeveria?! Buxheti?! Asnjëherë! E pamundur! Nga federata? E pamundur. E vetmja mundësi është ajo që i drejtohen qeveri shumë më të pasura se e jona, partneriteti publik privat” u tha zoti Rama të pranishmëve.
Kryeministri shtoi se projekti ka marrë vlerësimin maksimal nga UEFA dhe personalitete të tjera të futbollit europian dhe botëror.

Projekti i stadiumit të ri “Arena Kombëtare” parashikon një kapacitet prej 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe lehtësi të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: