Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi në fund të mbledhjes së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ku u arrit marrëveshja mes palëve politike, se është bërë një hapë shumë i rëndësishëm.

Kryediplomati evropian theksoi se që në diskutimet e ditës së mërkurë pati një marrëveshje të mirë, por opozita e bashkuar kërkoi të shikonte dhe shqyrtonte më tej disa çështje, si depolitizimi i administratës zgjedhore. Për ambasadorin Soreca, kjo është një gjë e rëndësishme dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE.

“Të mërkurën ne kemi pasur një marrëveshje të mirë, pas disa diskutimeve të mira. Ju e dini që opozita e bashkuar ka kërkuar të shikonte dhe shqyrtonte më tej disa çështje, si depolitizimin e administratës zgjedhore, gjë që është në përputhje me rekomandimet e OSBE. Ne e mbështesim këtë hap të rëndësishëm të arritur. Javën që vjen KE do të propozojë edhe kuadrin negociator. Kështu që tani le të ecim përpara. Shumë faleminderit”, tha Soreca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb