Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një mesazhi ka kujtuar sot 101-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

Sipas Ruçit, parlamentarizmi shqiptar hyri në shekullin e dytë, ndërsa shtoi se në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër.

Mes të tjerash Ruçi tha se Kuvendi është tempull i demokracisë shqiptare, garant i Kushtetutës

“Në përfundim të Luftës së parë Botërore, kur shqiptarët prisnin që atyre tu bashkoheshin edhe gjysma e bashkëkombësave mbetur jashtë shtetit kombëtar, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane fituese, vendosën të çbëjnë edhe vendimin gjysmak që kishin marrë vite më parë dhe të ricoptonin Shqipërinë.
Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të rënda të ekzistencës së tij. Koha bënte apel për veprim. Pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat patriotë, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar. Këta burra, magjistratë të parlamentarizmit shqiptar, u betuan në flamurin e pavarësisë, përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane, Presidentit e Kongresit Amerikan mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Zëri shpëtimtar i Presidentit Ëodrooë Ëilson ndali projektin famëkeq për coptimin e Shqipërisë.

Një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atributet e institucionit legjislativ të vëndit. Me këtë akt, i pari pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, fillon historia 100 vjeçare e parlamentarizmit shqiptar, i cili ka hyrë tashmë në shekullin e dytë të jetës. Gjatë një shekulli jetë, parlamentarizmi shqiptar ka kaluar shumë sfida dhe ka dhënë një kontribut të rëndëishëm në kryerjen e reformave dhe zbatimin e masave shtetformuese, zhvillimin e vendit, ngritjen e institucioneve dhe pushteteve të pavarura.

Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e tij gjatë tre dekadave të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, shtetit ligjor, hartimin dhe miratimin e Kushtetutës, korpusit të ligjeve të harmonizuara me legjislacionin evropian, paketës ligjore për reformën në drejtësi, ndërtimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Kuvendi ka kontributin e vet të pazëvëndësueshëm për integrimin e Shqipërisë në institucionet euro-atlantike dhe institucionet e tjera ndërkombëtare: në NATO, BE, Këshillin e Evropës, OSBE e në organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale. Vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian është një ndër arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë dekadave të fundit. Tashmë ne jemi në pritje të mbajtjes së tryezës së parë ndërqeveritare.

100 vjet parlamentarizëm nuk janë pak për të reflektuar e nxjerrë mësime për të ardhmen. Sot, duke hyrë në shekullin e dytë të jetës së parlamentarizmit shqiptar, është koha të reflektojmë për rrugën e gjatë që kemi përpara, për ta fuqizuar Kuvendin si një institucion përbashkues e të respektuar të fjalës së urtë, të debateve të kulturuara rreth alternativave për zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Shqipërisë. Për të konsoliduar rolin e Kuvendit si tempull i demokracisë shqiptare dhe garant i Kushtetutës. Ka mjaft prova që tregojnë se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Demokracia arrihet dhe fuqizohet duke luftuar përditë për të. Kuptohet, me mjetet që jep vetë demokracia. Në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër.”, tha Ruçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb