Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka përkujtuar sot një datë të shënuar për shqiptarët, që është anëtarësimi në NATO. Ishte pikërisht 4 prilli i 2009-ës kur Shqipëria u bë pjesë e kësaj aleance.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Bushati thekson se anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht investim në më shumë siguri, por mbi të gjitha shprehje e përkatësisë euro-atlantike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

MESAZHI I BUSHATIT
Më 4 Prill të vitit 2009, Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s, Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake në histori. Anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht investim në më shumë siguri, por mbi të gjitha shprehje e përkatësisë euro-atlantike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Procesi i anëtarësimit në NATO ishte produkt i konsensusit të gjerë politik që mundësoi ndër vite reforma të rëndësishme në fushën e së drejtës, sigurisë dhe modernizimit të ushtrisë.
Anëtarësimi në NATO është një arritje historike. Ndaj, sot është dita të falenderojmë e të shprehim mirënjohjen për të gjithë ato që kontribuan për këtë arritje. Më posaçërisht, burrat dhe gratë e Forcave tona të Armatosura, që edhe sot janë në vijën e parë të frontit në misionet jashtë vendit, por edhe brenda vendit në situatën e krijuar prej virusit vdekjeprurës. Burrat dhe gratë e shërbimit të jashtëm, profesionalizmi dhe përkushtimi i të cilëve mbajnë diplomacinë shqiptare. Burrat dhe gratë e shërbimit civil si shtylla kurrizore e konceptimit dhe zbatimit të reformave. Sot është dita të falenderojmë gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët europianë për mbështetjen e pakushtëzuar në këtë rrugëtim.
Përvjetori i 11-të i anëtarësimit tonë në #NATO përkon me 71 vjetorin e Aleancës! Sot #NATO mbron dhe promovon vlerat tona të përbashkëta, si mekanizmi garantues i arkitekturës së sigurisë europiane dhe kontribues në shumë misione paqeruajtëse në pika të ndryshme të botës. #NeJemiNATO
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb