Ka nisur sot në Hagë seanca e tretë në gjykimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Që në nisje të seancës, Mustafa ka kërkuar fjalën nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia. Mustafa u shpreh se kohëve të fundit është në stres.

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektojë ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë, sepse nuk është në bindjen e as kulturën time Kohëve të fundit më është shkaktuar një stres, dhe kjo po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm”, -ka thënë Mustafa. Në momentin kur Mustafa ishte duke vazhduar fjalimin e tij, dhe po thoshte se pas 12 muajve paraburgim… u ndërpre transmetimi live nga seanca për shkak “të përmbajtjes së redaktuar”.

Pas kësaj gjykatësja Mappie Veldt-Foglia kërkoi nga sekretaria që të shkonin në seancë private e cila është duke vazhduar në këtë formë. Mustafa të hënën nuk ka dashur të jetë prezent gjatë dëshmisë së dëshmitarit të parë, derisa gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia ka urdhëruar që ai të jetë prezent sot.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb