Në kuadër të nismës së qeverisë për kufizime në lëvizjen e automjeteve të dielën e parë të çdo muaji në mjaft qytete të vendit është ndaluar qarkullimi i mjeteve nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites në disa rrugë urbane.

Në kryeqytet u bllokua qarkullimi në disa pjesë të bulevardit dëshmoret e kombit dhe rruga nga gjykata e lartë deri ministria e brendshme. Po ashtu në Durrës, janë bllokuar disa rrugë të qytetit. Qarkullimi është ndaluar nga Bulevardi “Dyrrah” deri në bulevardin “Epidamn”.

Edhe në Korçë nuk është lejuar qarkullimi në Bulevardin “Republika” dhe Bulevardin “Rilindasit”. Në Berat qarkullimi është bllokuar nga aksi “Ypsiloni” deri tek rrethrrotullimi “Ura e Gorices” dhe “Shetitorja Osumi”, që është rruga përgjatë lumit Osum. Ndërsa në Fier, disa prej rrugëve kryesore të qytetit kanë kufizim të qarkullimit të automjeteve, me përjashtim të mjeteve të emergjencës duke përfshirë ambulancë, zjarrfikëse dhe policia.

Në Lushnje, bashkia vendosi të bllokojë disa rrugë në kuadër të ditës pa makina. Qarkullimi nuk do të lejohet nga ora 08 deri në orën 16 të pasdites. Kurse në Lezhë, u bllokuan rrugët kryesore të qytetit. Konkretisht në Bulevardin “Gjergj Fishta” nga varrezat e dëshmorëve deri në rrethrrotullimin e sheshit “Besëlidhja” si dhe Rruga “Luigj Gurakuqi”. Kjo nismë e bashkive të qytetit bëhet me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit ku jetojmë. Ndërkohë, nismës i është përgjigjur edhe Gjirokastra, e cila ka bllokuar shëtitores e rrugës “18 shtatori”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb