Sot shënohen dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar.

Duke marrë shkas nga kjo datë, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha përmes një mesazhi në rrjetin ‘Facebook’, theksoi se prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës.

Mes të tjerash Basha shprehu mirënjohje për artistët.

REAGIMI I BASHËS
Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.
Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit.
Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. #atykuishteatysiçishte

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb