Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi iu ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të miratojnë sot projektrezolutën kundër raportit të Dick Marty.

Ai tha se sot është dita e Thaçit, Kadri Veselit dhe e UÇK-së.

“I nderuar Kryetar i seancës!

Do të dëshiroja shumë që beteja ime e parë politike, këtu të ishte për liritë dhe të drejtat e njeriut në Evropë, për të cilat kam luftuar si student në 1990, duke rrëzuar një nga diktaturat më të egra komuniste të kontinentit.

Mjerisht, sot duhet të merrem me diçka tjetër!
Z. Reporter, i nisur nga indiciet e një libri, me iniciativë ruse, me ndihmën e Serbisë, i etur për publicitet, tenton pa asnjë provë nëpërmjet një raporti, të vendosë në bankën e akuzës: Bashkimin Europian, SHBA, Kosovën, Shqipërinë, Hashim Thaçin dhe UÇK-në!
Bernd Posselt, deputet i Parlamentit Europian, e quan Z.Marty demagog, njeri që keqpërdor postin e tij, duke ngritur akuza pa prova!
Denis MacShane, ish-sekretari britanik për Evropën thotë se “që nga koha e diktatorit kamboxhian Pol Pot, nuk janë bërë deklarata kaq sensacionale për një lider në detyrë si Thaçi”.
Të Nderuar Deputetë!

Nëse unë i fshehur pas imunitetit tim do bëja si zoti Marti me romanin e tij, do të mund t’i thoja se:
Tre dëshmitarë, që kanë frikë të identifikohen, më kanë njoftuar se ai ka marrë para nga Serbia.
Por unë s’jam Dik Marti dhe z. Reporter nuk eshte Dan Broën, ndaj do të them diçka më të arsyeshme!:
A thua ju z. Reporter i besoni naivisht tregimet e gazetës serbe Kurir, që në 2006, akuzonte dhe të nderuarin Kushner se kishte marrë pjesë në trafikun e organeve? E që NATO-n u paskësh ofruar baza?
Në raportin tuaj , nuk ka të paktën një emër të vdekuri që i kanë marrë organet!
Mirë dëshmitarët e gjallë që kanë frikë, po të vdekurit pse mungojnë në raportin tuaj?
Këtu dua t’i them Z.Reporter: Lexoni intervistën e kirurgëve zviceranë, apo Goran Kronjës, shef i departamentit të transplanteve të spitalit ushtarak të Beogradit, në revistën serbe Svjedok, të janarit 2011, i cili thote:
“Nëse doni të turpëroni dikë në Prishtinë, gjeni diçka tjetër dhe mos shpikni se në malet e Shqipërisë e Kosovës mund të bëhen transplante,”

Organet nuk janë një flash drive, që mund të futen nga një trup në një tjetër.
Të nderuar Deputetë,
Historia është e mbushur plot me përmbysje të të vërtetave, prej shteteve me kapacitete propagandistike të mëdha në rrafsh botëror.
Xhelatët falë kësaj teknologjie tentojne të barazohen me viktimat. Madje janë ndërruar rolet.
Në ndërrmarjen e z.Reporter, që i ka kushtuar dy vjet e gjysmë kohë dhe para KE-së, ka diçka të ngjashme. Unë kam një eksperiencë personale që më bind për këtë. Unë i përkas popullsisë çame, viktimë e genocidit dhe spastrimit Etnik, në fund të Luftës së dytë botërore, kur s’kishte as CNN, as Këshill Evrope, që të dokumentonte gjithë krimet. E vërteta e atij genocidi mbi çamët, hebrenjtë e Greqisë, që unë dhe familja ime e dimë mirë, asnjëherë s’është mësuar nga bota. Unë jam shume i ndjeshëm se, në atë kalvar Biblik kam pasur tim gjysh dhe babain tim 2-vjecar, që nuk e panë më kurrë vendin ku kishin lindur.

Të nderuar Deputetë!
Serbia e Miloshevicit ka përdorur furrat e fabrikave për të zhdukur kufomat nga frika e ndëshkimit ndërkombëtar, ndërsa sot paraqet shqiptarët si xhelatë!
Dua t’u kujtoj se, Kosova prej vitit 1999 është vendi më i monitoruar ndërkombëtarisht prej Nato-s, EULEX-it etj., ndaj një pjesë e krimeve që thotë i nderuari reporter thjesht s’mund të ndodhin.
Të nderuar Deputetë!
Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës duan hetime dhe janë shprehur zyrtarisht për këtë. Kjo Projekt–Rezolutë nuk shton asgjë, ngjan e padobishme. Bota sot e ka kuadrin legal për të bërë hetime në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo duhet të ketë vetëm një nen: të kryhen hetime dhe reporteri të paraqesë prova në public dhe Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Europës. Për të plotësuar mungesën e tyre këtu, popullsia e Kosovës ka dërguar, pranë Këshillit të Europës, një peticion, të firmosur nga më shumë se 260.000 njerëz, që besojnë tek ne dhe demokracia. Unë i kërkoj kësaj salle të nderuar të hedhë poshtë projekt–rezolutën e Dick Martit.

Se di se sa do të ndikojë kjo rezolute e sotmja e parlamentit. Pa asnjë mëdyshje është akti i duhur për të vënë në vend dinjitetin e këtij parlamenti, për të bërë sot atë që s’e bëmë 9 vite më parë. Të nderuar deputetë, unë i ndoqa edhe diskutimet, do ju ftoja që të kuptojmë se sot është dita që të ulim eshtrat kundër njëri-tjetrit. Sot është dita e Thaçit, Kadri Veselit, e UÇK.”, tha Idrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb