TIRANË- Pas më shumë se 1 muaji fushatë elektorale, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën, 25 qershor qytetarët janë thirrur në votime për të vendosur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.

Tre partitë më të mëdha PS, PD, LSI mbyllën dje në mbrëmje fushatën elektorale, përkatësisht PS nga sheshi lungomare në Vlorë, PD në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku më 18 shkurt ngriti çadrën e protestës dhe LSI mbylli fushatën zgjedhore nga Fieri.

Neni 77 i kodit zgjedhor shprehet qartë se 24 orë para datës së zgjedhjeve përfundon fushata e partive politike, duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore.

“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.

Neni 174 e kodit zgjedhor parashikon që subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore gjobitet nga KQZ me 500 mijë lekë. Sanksione parashikohen dhe për mediat që thyejnë heshtjen zgjedhore, ku po në nenin 174 rë kodit parashikohet gjobë nga KQZ në vlerë 2 milionë lekë të reja.

Ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për gjobën nuk pezullon ekzekutimin e saj. Në zgjedhjet e përgjithshme janë ftuar të votojnë 3.451.896 shtetas. Ndër ta, 136.239 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Shqiptarët do votojnë për 18 parti të cilat garojnë me vete dhe jo në koalicione parazgjedhore siç ka ndodhur më parë.

Shqiptarët do votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të kuvendit. Nga këto zgjedhje do përcaktohet edhe partia fituese ose koalicioni paszgjedhor që do qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb