LIVE

Komisioni i Rithemelimit do të mbajë sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Kuvendi do të nisë në orën 10:00 dhe do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatet e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë.

Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë sot edhe Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.

Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo tha se deputetët dhe kryetarët e rinj të degëve do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar për shkak të posteve që kanë.

Ora 12:30- Ivi Kaso prezanton rezolutën: Të gjithë kandidatët në poste publike do zgjidhen me votë

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso deklaroi nga Kuvendi Kombëtar i PD se të gjithë kandidatët në poste publike do të zgjidhen me votë.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se PD distancohet nga bojkoti dhe djegia e mandateve.

REZOLUTE E KUVENDIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Pasi ka reflektuar për veprimtarinë dhe vendim-marrjen politike gjatë dy mandateve në opozitë, Partia Demokratike është e vetëdijshme dhe e vendosur t’u japë fund praktikave jodemokratike dhe qasjeve të dështuara politike.
Partia Demokratike:

— Dënon dhe distancohet nga praktika e bojkotit të zgjedhjeve. Partia Demokratike solli pluralizmin dhe liritë politike në Shqipëri dhe ajo nuk do të jetë asnjëherë direkt apo indirekt pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar pluralizmin dhe kufizuar lirinë e zgjedhjes politike të qytetarëve.

— Distancohet nga praktika e ‘djegies’ së mandateve parlamentare. Parlamentarizmi është vlerë thelbësore e çdo shoqërie të lirë dhe demokratike dhe Partia Demokratike
është e vendosur të luftojë për forcimin e parlamentarizmit. Partia Demokratike do të jetë kudo ku luftohet për interesat e qytetarëve dhe një nga vendet kryesore të mbrojtjes së këtyre interesave është Kuvendi i Shqipërisë.

— Dënon dhe distancohet nga metodat jodemokratike në drejtimin e partisë, duke i dhënë fund Kryetarokracisë, vendim-marrjes arbitrare individuale, drejtimit të partisë me struktura ekstrapartiake dhe pushtetit të familjarëve, miqve apo këshilluesve privatë në vendim-marrjen dhe veprimtarinë e partisë.

— Dënon dhe distancohet nga praktikat informale dhe jo transparente të mbledhjes dhe menaxhimit jashtëpartiak të fondeve për partinë. Ajo dënon dhe distancohet nga çdo
përfshirje në skema financimi dhe qarkullimi parash përmes kompanive off-shore dhe kanaleve jo të ligjshme e jo transparente financiare. Ajo angazhohet në menaxhimin
profesional dhe transparencën e plotë të të gjitha financave partiake.

— Distancohet nga praktikat e lobimit me pagesë dhe dënon përdorimin e lobimit për të ndërhyrë në proceset vendim-marrëse dhe të brendshme të vendeve të tjera.
Partia Demokratike:

— Rikonfirmon aspiratën për të cilën PD u themelua: integrimin europian të vendit dhe mbështetjen për institucionet euro-atlantike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rikonfirmon përqafimin dhe respektimin e të gjitha vlerave të Partive Konservatore dhe Partisë Popullore Europiane—familjeve europiane dhe botërore politike.
— Rikonfirmon parimin e konkurrencës dhe garës së brendshme si parimin themelor të organizimit partiak. Të gjithë kandidatët për poste publike (deputetë dhe kryebashkiakë) dhe të gjithë drejtuesit kryesorë të partisë në të gjitha nivelet (kryetarët nga qendra në bazë) do të përzgjidhen përmes kësaj metode, pra modelit një anëtar një votë!

Vendime më të rëndësishme të politikave partiake do t’i nënshtrohen referendumit të anëtarësisë.

— Rikonfirmon vendosmërinë për të garantuar ripërtëritjen e vazhdueshme të elitave drejtuese partiake, për të garantuar aftësinë dhe cilësinë e drejtuesve të saj. Largimi i kryetarit dhe ekipit të tij nga drejtimi i partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme mbetet parim themelor dhe i panegociueshëm.

— Rikonfirmon parimin e hapjes së partisë, duke përcaktuar që çdo katër vjet të rinovohet të paktën një e treta e të gjithë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë. Angazhohet në mënyrë të veçantë për hapjen ndaj rinisë dhe grave: brenda vitit 2025, 40 përqind e të gijthë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë të jenë gra dhe 30 përqind nën moshën 40 vjeç.

— Angazhohet në një dialog të përhershëm me qytetarët dhe grupet shoqërore. Ajo do të themelojë dhe koordinojë foltore të vazhdueshme me publikun për çështjet më të
rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.

— Rikonfirmon përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe lirive përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje dhe në të gjitha proceset institucionale politike në vend. Rikonfirmon angazhimin e saj në të gjitha përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si e vetmja mënyrë për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit.

— Angazhohet në modernizimin e administrimit të brendshëm të partisë për të krijuar një administratë profesionale, efikase dhe të paanshme partiake që garanton mbarëvajtjen e veprimtarisë politike dhe procese të paanshme të brendshme zgjedhore. Angazhohet në dixhitalizimin dhe përfshirjen e teknologjisë në çdo aspekt të menaxhimit të anëtarësisë dhe administrimit të partisë.

Ora 12:10- Propozohen ndryshime statutore

Propozimet për Ndryshimet Statutore
Ishte Bëhet
NENI 32
Neni 32/a
Kryesia e Degës së Partisë
1- Kryesia e Degës është organi më i lartë për drejtimin e Degës së Partisë ndërmjet dy Kuvendeve. Ajo vendos për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit të degës apo e organeve qendrore të PDSH.
a) Kryesia e Degës përbëhet nga 17-23 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Degës sipas përcaktimit që i bën këtij numri, për secilën degë, Kryesia e PDSH. Kryetari dhe Sekretari i Degës bëjnë pjesë në këtë numër.
Si anëtarë të Kryesisë së Degës me të drejta të plota mbi këtë numër përfshihen edhe kryetarët vendorë të LDG dhe FRPD, deputetët e PD-së të zgjedhur në territorin e Degës, Kryetarët e Bashkisë/Bashkive të Qarkut, kur i përkasin PD.

NENI 32
Neni 32/a
Kryesia e Degës së Partisë

1- Kryesia e Degës është organi më i lartë për drejtimin e Degës së Partisë ndërmjet dy Kuvendeve. Ajo vendos për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit të degës apo e organeve qendrore të PDSH.
a) Kryesia e Degës përbëhet nga 17-27 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Degës sipas përcaktimit që i bën këtij numri, për secilën degë, Kryesia e PDSH. Kryetari dhe Sekretari i Degës bëjnë pjesë në këtë numër.
Si anëtarë të Kryesisë së Degës me të drejta të plota mbi këtë numër përfshihen edhe kryetarët vendorë të LDG dhe FRPD, deputetët e PD-së të zgjedhur në territorin e Degës, antarët e Këshillit Kombëtar me banim në degë, Kryetarët e Bashkisë/Bashkive të Qarkut, kur i përkasin PD.

NENI 42
Neni 42/1/dh
Kuvendi Kombëtar i Partisë

1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga 1100 (një mijë e njëqind) anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendet e degëve të PDSH sipas një numri të përcaktuar për çdo degë nga Kryesia e PDSH. Listën e kandidaturave për delegatë në Kuvendin Kombëtar e paraqitet në Kuvendin e Degës nga Kryesia e saj. Janë delegatë të Kuvendit Kombëtar:
a) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike;
c) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
ç) Antarët e qeverisë që janë antarë të PDSH-së;
d) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, antarë të PDSH-së;
dh) Një numër përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë, jo më shumë se 10 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.

NENI 42
Neni 42/1/dh
Kuvendi Kombëtar i Partisë

1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga 1100 (një mijë e njëqind) anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendet e degëve të PDSH sipas një numri të përcaktuar për çdo degë nga Kryesia e PDSH. Listën e kandidaturave për delegatë në Kuvendin Kombëtar e paraqitet në Kuvendin e Degës nga Kryesia e saj.Janë delegatë të Kuvendit Kombëtar :
a) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike;
c) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
ç) Anëtarët e qeverisë që janë anëtarë të PDSH-së;
d) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, anëtarë të PDSH-së;
dh) Një numër përfaqësuesish të organizatave partnere të LDG dhe FRPD ku përfaqësimi do të jetë, 10 për qind të numrit të përgjithshëm për LDG dhe 10 për qind të numrit të përgjithshëm për FRPD, të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.

NENI 44
Neni 44/2/b/c/6
Këshilli Kombëtar

2. Këshilli Kombëtar përbëhet nga Kryetari i PDSH-së dhe 150 anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar. Brënda këtij numri, janë anëtarë të Këshillit Kombëtar pa iu nënshtruar procesit të votimit, ish-Presidentët, ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e Kuvendit dhe ish-Kryetarët e PDSH-së, që janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
2. Janë automatikisht kandidatë:
a) anëtarët në detyrë të Kryesisë së Partisë;
b) kryetarët e degëve të PDSH-së;
c) deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së;
ç) kryetarët e Bashkive dhe Kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike;

6. Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar e kanë Kryetari i Partisë, Kryesia e Partisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar, si dhe të paktën ¼ e anëtarëve të tij. Jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që, në çdo kohë, të propozojnë kandidatë alternativë për çdo funksion politik që zgjidhet nga Këshilli Kombëtar. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë. Në rastin e masave disiplinore, vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve.

NENI 44
Neni 44/2/b/c/6
Këshilli Kombëtar

2. Këshilli Kombëtar përbëhet nga Kryetari i PDSH-së dhe 150 anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar. Jashtë këtij numri, janë anëtarë të Këshillit Kombëtar pa iu nënshtruar procesit të votimit, Deputetët e PDSH në detyrë, Kryetarët e Degëve të PDSH, kryetarët e Bashkive që i përkasin Partisë Demokratike, ish- Presidentët, ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e Kuvendit dhe ish-Kryetarët e PDSH-së, që janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, si dhe një numër i barabartë me 10 % të anëtarëve të zgjedhur, të cilët vijnë si propozime nga diaspora dhe emigracioni. Lista emërore e tyre miratohet me vendim të Kryesisë së PDSH.
2. Janë automatikisht kandidatë:
a) anëtarët në detyrë të Kryesisë së Partisë;
b) ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së;

6. Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar e kanë Kryetari i Partisë, Kryesia e Partisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar, si dhe të paktën ¼ e anëtarëve të tij. Jo më pak se 5% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që, në çdo kohë, të propozojnë kandidatë alternativë për çdo funksion politik që zgjidhet nga Këshilli Kombëtar. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë. Në rastin e masave disiplinore, vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve.
NENI 47
Kryesia e Partisë

1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Dy nënkryetarët e Partisë,
c) Sekretari i Përgjithshëm;
d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;.
e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e antarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë mandat tjetër përveç atyre të parashikuar në gërmat a), b), c) dhe d) të pikës 1 të këtij neni.
NENI 47
Kryesia e Partisë

1. Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Dy nënkryetarët e Partisë,
c) Sekretari i Përgjithshëm;
d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;.
e) Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike;
f) Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë;
g) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, sipas një liste të miratuar në Kryesinë e partisë me propozim të Kryetarit të Partisë ose kandidaturave të mbështetura nga jo më pak se 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Jo më pak se 30% e antarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
2. Anëtari i Kryesisë nuk mund të mbajë më shumë se një mandat tjetër përveç atij të fituar sipas këtij neni.

Pas nenit 55 shtohet neni
Neni 55/1
Aparati qendror administrativ i partisë

Në përputhje me mundësitë e saj financiare, Partia Demokratike ndërton aparatin e saj qendror administrativ i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme. Aparati qendror administrativ drejtohet nga Administratori i Përgjithshëm i Partisë, i cili emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate. Struktura e aparatit qendror administrativ përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë. Administratori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me vendim të Kryesisë së Partisë.

DISPOZITA TRANZITORE
NENI 64
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit

1. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe deri në përfundim të konstituimit të organeve të reja sipas tij, por jo më shumë se për katër muaj, drejtimi ekzekutiv i partisë bëhet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
2. Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit përbëhet nga 29 anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi Kombëtar, mes personaliteteve me kontribute dhe autoritet të padiskutueshëm në PDSH. Ky Komision ushtron të gjitha kompetencat të cilat sipas këtij statuti i takojnë organeve qendrore të Partisë, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.
3. Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vetëmblidhet pas miratimit të këtij statuti dhe zgjedhjes së anëtarëve të tij nga Kuvendi Kombëtar. Ai përfundon ushtrimin e kompetencave të një organi qendror, sapo konstituohet rregullisht organi përkatës sipas parashikimeve të këtij Statuti.
4. Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, përgjatë periudhës së funksionimit të tij, është përgjegjës veçanërisht për organizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore apo referendare në cilindo nivel të organizimit të PDSH.

DISPOZITA TRANZITORE
NENI 64
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit

1. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe deri në përfundim të zgjedhjes së Kryesisë së PDSH, drejtimi ekzekutiv i partisë bëhet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

2. Mandati i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit, përfundon në momentin që zgjidhet Kryesia e PDSH.

Ora 11:10- Zgjidhet Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit të PD

Komisioni i drejtimit të punimeve

Albana Vokshi, anëtare
Edmond Spaho, anëtar
Vili Minarolli,
Ivi Kaso
Belind Këlliçi, kryetar

Sekretariati teknik

Av.Ledjo Nuraj
Minushe Lazaj
Nada Daullja

Ora 10:50- Nis me Himnin Kombëtar Kuvendi i PD i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit. E gjithë salla është ngritur më këmbë. Më pas e para që ka marrë fjalën ka qenë ish-kandidatja për deputete e PD Lediana Fratari.

Ora 09:40- Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se një numër i konsiderueshëm deputetësh nuk kanë ardhur për të tërhequr mandatin, një procedurë e Kuvendit Kombëtar.

“Me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar, i hapet rruga zgjedhjes së nënkryetarëve, sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të tjerë. Bëhet check-in i delegatëve dhe më pas ata futen në sallën e madhe”, raportoi Stafa.

RENDI I DITËS
Do të ketë 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyer në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj. Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.

Komisioni i Rithemelimit ka ftuar deputetët e Partisë Demokratike të marrin pjesë ditën e nesërme në Kuvendin e 30 prillit. Ne një mesazh dërguar të gjithë ligjvënësve demokratë, u kërkohet që si delegatë të konfirmojnë edhe prezencën e tyre dhe t’i bashkohen Kuvendit për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.

Mesazhi

I nderuar Deputet i Partisë Demokratike,
Nesër, ditë e shtunë, datë 30 prill 2022 zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në bazë të Nenit 42 të Statutit të PD, ju jeni delegat në Kuvend. Kuvendi hap punimet në orën 10:00. Hyrja tek Pallati Kongreseve nga ana e Hotel Rogner, pjesa anësore. Jeni të lutur të tërhiqni mandatin pranë recepsionit në selinë e Partisë Demokratike. Lutem konfirmimin e prezencës nga ana juaj në nr. 0683273805. Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb