“Aty ku djegin libra, në fund do të djegin edhe njerëzit!”. Citati i mësipërm është marrë nga një dramë e vitit 1821 nga shkrimtari i famshëm gjerman me origjinë hebraike Hajrih Hajne me titull “Almansor”.

Kjo thënie, ishte në fakt një referencë ndaj djegies së Kuranit gjatë Inkuizicionit Spanjoll në shekullin XV, një përpjekje për të zhdukur maurët nga Gadishulli Iberik, që kishte qenë një qendër kryesore e kulturës mesjetare islame.

Ironikisht, ky libër u dogj me mijëra të tjerë nga një turmë nazistësh më 10 maj 1933 në sheshin “Babelplatz” në Berlin, e elektrizuar nga fjalimet raciste të Adolf Hitlerit. Por thënia e Hajnes rezultoi të ishte “profetike”.
Sepse vetëm 8 vite më vonë do të niste të zbatohej ajo që u quajt më vonë akti më barbar i kohëve moderne, Holokausti, ose zhdukja e programuar e hebrenjve.

Miliona prej tyre u ekzekutuan dhe më pas u dogjën në krematoriumet e kampeve të vdekjes në Aushvic, Buhenvald, Dahau etj.
27 janari, Dita Ndërkombëtare e Kujtesës, pra e përkujtimit të Holokaustit, i bën në fakt jehonë të gjitha krimeve që kanë pjellë ideologjitë esktremiste, të majta dhe të djatëta, të cilat siç dihet kanë filluar me gjuhen e urrejtjes.

Gjithçka nisi me persekutimin verbal ndaj hebrenjve, më pas pasuan sulmet fizike, segregimi me ligj, dhe në fund ndodhi asgjësimi i tyre në masë. Kamboxhia, Ruanda, Bosnja, apo gjenocidi në Darfur, janë një kujtesë e trishtueshme se pavarësisht pësimeve të së kaluarën, kombet nuk mësojnë thuajse asgjë dhe përsëritin shpeshherë të njëjta gabime.

Mjerisht, e njëjta frymë po mbizotëron vitet e fundit kundër myslimanëve në mbarë Evropën. Akti skandaloz i djegies së librit të shenjtë, Kuranit, nga udhëheqësi fashist suedezo-danez, Rasmus Paludan, përfaqëson pa asnjë dyshim pikën kulmore të frymës së islamofobisë, që si një virus tepër virulent është lejuar të përhapet gjerësisht në Evropën Perëndimore, veçanërisht 2 dekadat e fundit.

Kurani është një tërësi konceptesh dhe vlerash që vijnë nga Zoti, dhe që i janë shpallur të dërguarit të Tij fisnik në formë vargjesh dhe vendimesh. Ai është i ruajtur dhe i pandryshuar deri në ditën e fundit. “Ne e zbritëm kujtimin, dhe Ne e ruajmë atë Kuran”-thuhet në një verset të tij.

Përtej ngarkesës së natyrshme emocionale, me një përzierje ndjenjash midis dhimbjes dhe indinjatës, që shkaktoi ky akt tek unë si një besimtar mysliman dhe qytetar i Evropës së shekullit XXI, ashtu si tek qindra miliona të tjerë, fakti i ftohtë është ekstremisti Paludan ka djegur vetëm faqet prej letre, në të cilat janë të ngulitura këto vlera dhe vendime.

Akti i tij synon të përçojë vetëm urrejtjen e verbër ndaj një besimi fetar. Pasi unë jam i sigurt që pas këtij akti vandal, do të botohen miliona kopje te reja të Kuranit në gjuhët skandinave. Sado që është tepër i rëndë dhe provokues, ai akt nuk përfaqëson shoqëritë skandinave dhe as qeveritë e tyre, të cilat e kanë dënuar me forcë këtë akt prej burracaku dhe linçimi njerëzor.

Vetë kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në Tëitter se “djegia e librave që janë të shenjtë për shumë njerëz, është një akt që tregon një mungesë të thellë respekti”.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Lartë për Aleancën e Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara, Miguel Ángel Moratinos e dënoi prerë aktin e neveritshëm të djegies së Kuranit të Shenjtë në Suedi, duke e bërë të qartë se ai përbën një ”shprehje urrejtjeje ndaj myslimanëve”.

Sipas tij ai “nuk duhet ngatërruar aspak me lirinë e shprehjes”, pasi ushtrimi i lirisë së shprehjes mbart me vete detyra dhe përgjegjësi”. Gjithsesi, është fakt që autoritetet suedeze i dhanë lejen e protestës para ambasadës turke një individi ekstremist, që është dalluar edhe në të kaluarën gjuhën e tij të urrejtjes.
Disa njerëz janë përpjekur të relativizojnë përmasat e kësaj ngjarje të përsëritur, me justifikimin se në një shoqëri liberale duhet të mbrohet e drejta e lirisë shprehjes. Por djegia e një banderole partiake, nuk mund të vendoset kurrsesi në të njëjtën peshore me djegien e Teuratit hebraik, Kuranit apo Biblës.

Sepse këto të fundit janë librat të shenjtë të Zotit, bartin një peshë shpirtërore dhe morale shumë të madhe për miliarda njerëz, dhe si të tilla rrezikojnë të prodhojnë konflikte të rrezikshme, që mund të dalin lehtësisht jashtë kontrollit.

Filozofi i madh katolik, Jaques Maritain, është shprehur me drejtë diku se liberalizimi nuk ka sjellë asgjë një të mirë të përbashkët, se ai nuk ka përmban asnjë mendim të vërtetë.

Për më tepër, ishte apatia e kësaj ideologjie ndaj të keqes, ajo që solli ngritjen përpara Luftës së Dytë Botërore të regjimeve fashiste raciste, hijet e të cilave i shohin ende sot të trupëzuara në lëvizjet politike, të cilat nga skajet e politikës po zhvendosen gradualisht por frikshëm në qendër të saj.

Nga ana tjetër, mua më duket se prapa këtij akti fshihen pikërisht ata që duan ndarjen midis kombeve, përmes së ashtuquajturës përplasje midis qytetërimeve teorizuar që në vitin 1993 nga sociologu kontrovers amerikan Samuel Huntington.

Përplasjet e dhunshme që kanë ndodhur në disa qytete suedeze gjatë muajve të fundit, në shenjë proteste kundër djegieve të mëhershme të kopjeve të Kuranit nga grupet e të djathtës ekstreme, demagogjia kundër emigracionit dhe nxitja e islamofobisë, hapën një diskutim të gjerë se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me sulmin e çdo sekti politik ose fetar ndaj objekteve të komuniteteve fetare të ndryshme në Evropë.

Diskutimet priren që të kanalizohen tek masat e shpejta që duhen marrë kundër këtij diskursi toksik. Por në fund gjithçka mbetet peng i “respektimit të lirisë së fjalës”, një tezë që refuzohet të kontekstualizohet sadopak nga mbështetësit e liberalizmit.

Në këto kushte, në shumë vende evropiane, e djathta ekstreme vazhdon që ta përdorë anti-myslimanizmin si një mjet në çdo përpjekje të sajën për të rritur popullaritetin dhe për të fituar një lloj peshe elektorale kur të vijnë zgjedhjet.

Ajo synon të fajësojë emigrantët myslimanë për çdo problem që ka shoqëria dhe vendi i tyre. Për shembull, është një fakt që vendet skandinave, dhe sidomos Suedia, po dështojnë me procesin e integrimit, teksa disa dekada më parë ishin një model. Aktualisht ky vend ka normën më të lartë të kriminalitetit në kontinent, sidomos të krimit të organizuar. Këtë situatë po e shfrytëzojnë në maksimum ekstremistët, që janë rritur ndjeshëm në sondazhe. Kjo rritje duket se i ka detyruar edhe autoritetet të jenë më tolerante ndaj sjelljeve të tyre.

Por dëmet e këtij akti do të jenë shumë të mëdha. Mbi të gjitha Suedia e ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në NATO, pasi Turqia e bëri të qartë se pa adresimin e problemit të gjuhës së urrejtjes ndër-fetare nuk do të heqë veton ndaj saj.

Ata që janë djegin librin e Kuranit, një akt i parë me herët në Holandë, Danimarkë, SHBA etj, e bëjnë këtë si një mënyrë ose për të lënduar ose për t’u përplasur enkas me myslimanët. Ata veprojnë nën iluzionin se Kurani i përket vetëm myslimanëve.

Në fakt ky libër i shenjtë u përket të gjithë njerëzve. Ai është pjesë e pasurisë shpirtërore të njerëzimit. Vetë Kurani dëshmon në një verset se ai u dërgua, jo vetëm myslimanëve, por mbarë njerëzimit: ”Nuk është asgjë më pak se sa një mesazh për të gjitha kombet” (Kuran 68:52 ). Dhe dallimi i vetëm është se disa kanë ndërtuar qytetërime të mëdha mbi bazën e tij, ndërsa të tjerët mendojnë me naivitet se së bashku me të mund të djegin edhe vlerat e tij.

Gjithsesi unë mbetem i bindur se një akt i tillë, është vetëm një gjest politik i disa partive fashiste dhe të ekstremit të djathtë. E përsëris edhe njëherë, lënë mënjanë lëndimin shpirtëror të besimtarëve, në raste të tilla këta njerëz djegin fikizisht vetëm disa fletë letre, pasi në thelb fjala e Zotit është e skalitur përgjithmonë në zemrat e njerëzve.

Megjithatë komunitetet duhet të jenë shumë vigjilente ndaj qasjeve të kësaj natyre që ndodhin afër nesh në Evropë apo kudo tjetër, sepse bota është bërë aq e vogël, saqë ndikimi i akteve të tilla shtrihet kudo. Dhe nuk duhet harruar se djegia e një libri të shenjtë, përfaqëson djegien e mbarë librave të shenjtë, për shkak se thyhet një tabu.

Ai është një akt brej burracakësh dhe frikacakësh ekstremistë, që nuk ka asnjë pikëtakim me lirinë e mendimit. Është një fuçi zjarri më shumë në një botë ku baruti ka kohë që është ndezur, siç po e shohim aktualisht me luftën e përgjakshme në Ukrainë.

Është detyrë e të gjithë njerëzve me logjikë dhe vetëdije qytetare, që pavarësisht përkatësisë fetare, të angazhohen për t’iu kundërvënë në mënyrë energjike axhendave të tilla të errëta, që synojnë ta zhytin në një konflikt të madh botën tonë të përbashkët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: