2019 troket edhe në Shqipëri! Shqiptarët kremtojnë ndërrimin e viteve, ndërsa akrepat e orës i dhanë fund ditëve të 2018. E gjithë bota feston në mënyra të ndryshme.

Në Tiranë të shumtë ishin qytetarët të cilët sfiduan temperaturat e ulëta, dhe pritën ndërrimin e viteve në sheshin Skënderbej. 2019 mbërriti në spektaktlin e fishekzjarreve të përgatitur nga Bashkia e Tiranës. Edhe pse u tha se këtë vit nuk do të kishte më fishekzjarrë të hedhur privatisht, qielli u ndriçua në të gjithë kryeqytetin nga ngjyrat e tyre.

Një koncert i parapriu ndërrimit të viteve në sheshin Skënderbej, ku në skenë u ngjitën këngëtarët më të njohur shqiptarë, duke nisur nga Evi Reçi, Ardit Çuni. Alban Nimani, West Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ.

Kremtimi i Vitit të Ri është një nga festat më tradicionale që mbledh bashkë në një tryezë familjarë, miq e shokë. Agjencia e lajmeve BalkanWeb, iu uron gjithë shqiptarëve kudo që janë: “Gëzuar Vitin e ri, 2019!”

VITI I RI, SI LINDI, RITET DHE BESIMI
Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e saj, edhe pse me shekuj kanë pësuar modifikime, ato, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat e tyre esenciale.

Viti i ri është festë: e gjendjes së mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marr parasysh racën, fenë, kombin, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se, kremtimin e festës së Vitit të Ri, fillimisht e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë fillzënien e vetë e ka nga romakët e vjetër dhe germanët.

Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.
Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues;

Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën e festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri, të sigurohet sa më shumë llojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.

Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar konsiderohen si fëmijët më fatlum në botë.

Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen;

Njeriu i parë i cili do t’ju hyjë në shtëpi pas mesnate, besohet se, ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë atë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t’ju sjell shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet e juaja gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri të tentoni t’i paguani të gjitha borxhet që keni, sepse kështu viti që vjen, do t’ju sjell fillim të mbare në të gjitha fushat e jetës.

Portofolët mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’ju përcjellë me shumë begati dhe pasuri financiare.

 BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: