Historiani Paskal Milo është treguar kritik ndaj Edi Ramës duke thënë se ka tendencë për të treguar se si duhet të shkruhet historia.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Milo theksoi se historia po shtrembërohet ndërsa tregoi se si ai vetë është sulmuar për librin e tij të fundit, ku sipas tij ishte një e vërtetë në lidhje me ish-diktatorin Enver Hoxha.

“Në vitet e luftës nuk kanë qenë më shumë se 200-300 hebrenj. Nuk marr përsipër të korrigjoj gabimet e kryeministrit. Ai është artist unë jam historian. Janë shqiptarët e thjeshtë, familjet shqiptare që i shpëtuan hebrenjtë, ata i fshehën, ata i mbrojtën. Nëse duam të transformojmë sjelljen e shqiptarëve duke afishuar këtë atribuuar zyrtarëve të lartë, të qeverisë kolaboracioniste shqiptare, këtu e shtrembërojmë historinë. Duhet të drejtpeshojmë historinë.

Në botimin tim të fundit për luftën guxova dhe thashë një të vërtetë që Enver Hoxha provokoi me letrat e 1 tetorit, por ndaj meje është vërsulur një lukuni njerëzish të së majtës ekstreme duke më akuzuar në mënyrat më absurdet. Por kjo nuk më lëkund nga pozicionimet e mia shkencore. Historinë duhet t’ua lëmë specialistëve. Sot ekziston e njëjta tendencë që siç bënte Enver Hoxha që diktonte se si duhej të shkruhej historia, sot bëhet përsëri e njëjta gjë, në kuptimin e vlerësimeve të figurave historike dhe të ngjarjeve historike. Ka tendenca të tilla që ne si historianë nuk duhet t’i pranojmë”, theksoi Milo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb